Policia e Kosovës ka identifikuar pesë persona të dyshuar për përgatitje të veprës penale “Vrasje e rëndë” në Prishtinë.
Sipas raportit policor, më 28 nëntor është identifikuar dhe intervistuar viktima e rastit. Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar një veturë të dyshuar, në të cilën është gjetur një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë.
Në kuadër të hetimeve janë kontrolluar edhe shtëpitë e pesë të dyshuarve, ku janë arrestuar dy persona. Gjatë kontrolleve është gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë me shtatë fishekë.
Me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të dyshuarit e tjerë ndodhen në arrati.
Njoftimi i plotë i policisë:
PËRGADITJE E VEPRËS PENALE VRASJE E RËNDË/ Prishtinë / 27.11.2026 – 22:15. Më 28.11.2026 është identifikuar viktima m/k, njëkohësisht është intervistuar, po ashtu është sekuestruar vetura e dyshuar ku në brendi është gjetur arma pistoletë me shurdhues dhe 5 fishekë. Lidhur me rastin janë identifikuar pesë të dyshuarit m/k, ku janë kontrolluar shtëpitë e tyre, ku janë arrestuar dy prej tyre (të dyshuarëve) si dhe është gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë me 7 fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerë gjenden në arrati.

