Pas rreth 10 orësh përplasjeje dhe tensionesh të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, protesta e 28 Nëntorit ditën e Pavarësisë, ka përfunduar.
Tubimi, i cili nisi në orën 10:00 të paradites, u shoqërua gjatë gjithë ditës me përplasje të përsëritura, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe hedhje gurësh e molotovësh në drejtim të policisë.
Përplasjet u përhapën në disa zona të kryeqytetit, ndërsa u raportuan edhe dëmtime në godina institucionesh shtetërore.
Fillimisht tensionet nisën pranë Kryeministrisë, e më pas situata u përshkallëzua edhe në sheshin “Skënderbej”.
Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, 47 persona, mes tyre efektivë policie, protestues, gazetarë, kalimtarë dhe një punonjës sigurie, u paraqitën në strukturat spitalore për të marrë ndihmë mjekësore.
Agjencitë e mëdha të lajmeve, mes tyre Reuters, Associated Press dhe AFP, si dhe media të njohura si Al Jazeera dhe Deutsche Welle, kanë raportuar mbi protestën në Tiranë e mbajtur këtë 28 Nëntor.
Reuters e ka pasqyruar protestën si një tubim të udhëhequr nga studentët, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në raportimin e saj, Reuters përshkruan hedhjen e gurëve dhe bombolave molotov në drejtim të policisë, si dhe përdorimin e gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë nga efektivët.
Edhe Associated Press (AP) i ka kushtuar një raportim protestës, duke theksuar se mijëra qytetarë u mblodhën në Tiranë për të kërkuar largimin e Ramës. Agjencia amerikane pasqyron gjithashtu dëmtimet në godinat qeveritare dhe ndërhyrjen e policisë për shpërndarjen e protestuesve.
Al Jazeera ka publikuar një artikull me titullin “Policia dhe protestuesit në Shqipëri përleshen, mijëra njerëz protestojnë kundër qeverisë”, ku përshkruan përplasjet mes policisë dhe protestuesve në Ditën e Pavarësisë.
Ndërkohë, Deutsche Welle raporton se protesta nisi në mënyrë paqësore, por më pas situata u përshkallëzua, me sulme ndaj godinave qeveritare dhe përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave prej gome nga policia.
Edhe agjencia turke Anadolu Agency ka raportuar për protestën, duke përcjellë bilancin fillestar të të lënduarve dhe të arrestuarve, si dhe kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit. Po ashtu edhe The Telegraf, i ka kushtuar një raportim protestës së dhunshme.

