Lajme

Një muaj paraburgim për nënën që i jipte vajzat e mitura për shfrytëzim seksual, Gjykata çon në burg edhe dy të dyshuar tjerë

11/28/2026 21:27
nga:Mergim Rreci

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve: E.B., M.C. dhe R.S.

E.B. dyshohet për veprën penale të trafikimit me njerëz, ndërsa M.C. dhe R.S. për veprën penale të shfrytëzimit të shërbimeve seksuale nga viktimat e trafikimit, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.B., M.C. dhe R.S., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, për secilin.

Gjykata, pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, ka vlerësuar se në rastin konkret caktimi i kësaj mase është i nevojshëm dhe i përshtatshëm, pasi ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lihen në liri, të arratisen dhe t’i shmangen ndjekjes penale, duke pasur parasysh peshën dhe dënueshmërinë e lartë të veprave penale, si dhe mënyrën e kryerjes së tyre ndaj dy të dëmtuarave të mitura.

Po ashtu, Gjykata vlerëson se ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë tek të dëmtuarat e mitura dhe në këtë mënyrë të pengojnë zhvillimin e papenguar të procedurës penale. Në këtë drejtim, janë marrë parasysh edhe rrethanat që lidhen me moshën e të pandehurve, përkatësisht 67 dhe 70 vjeç, si dhe natyra e veprimeve për të cilat dyshohen.

Gjithashtu, ekzistojnë rrethana konkrete që tregojnë rrezikun real dhe të arsyeshëm të përsëritjes së veprave penale, veçanërisht duke pasur parasysh se e pandehura E.B., duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin prindëror, dyshohet se ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme, duke mundësuar shfrytëzimin seksual të të dëmtuarave të mitura – vajzave të saj, në këmbim të parave apo përfitimeve të tjera materiale.

“Gjykata konsideron se masa e paraburgimit është e domosdoshme për të parandaluar rrezikun e arratisjes, ndikimin tek të dëmtuarat dhe përsëritjen e veprave penale. Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, njofton Gjykata Themelore në Prishtinë.