Lajme

Rasti “Kufiri 2”, Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuar

11/28/2026 18:15
nga:Mergim Rreci

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: A.N., – shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, T.E., dhe A.C., – shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, lidhur me rastin e koduar “Kufiri 2“.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi se të pandehurit kanë vepruar në koordinim me njëri-tjetrin, duke ndarë paraprakisht rolet dhe detyrat, me qëllim të transportimit të substancës narkotike.

Konkretisht, i pandehuri A.N., së bashku me të pandehurën A.C., dyshohet se kanë udhëtuar me automjetin “VW Tiguan”, duke përcjellë dhe vëzhguar rrugën para automjetit “Audi A6”, në të cilin transportohej substanca narkotike. Kurse, i pandehuri T.E., dyshohet se ka drejtuar automjetin “Audi A6”, në të cilin është gjetur substanca e dyshuar narkotike, ndërsa i pandehuri J.B., dyshohet se ka pasur rolin e vëzhgimit të rrugës duke lëvizur përpara automjeteve të tjera.

Pas identifikimit të automjeteve dhe tentimit të ndalimit nga ana e policisë, i pandehuri T.E., nuk u është bindur urdhrave policorë, por ka vazhduar ikjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar edhe aksident trafiku me lëndime ndaj dy personave, kurse, në afërsi të lokalit “Milenium”, automjeti ka humbur kontrollin, ku pas ndërhyrjes policore është ndaluar dhe arrestuar i pandehuri T.E., ndërsa në automjet është gjetur substanca e dyshuar narkotike.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa i pandehuri T.E., dyshohet edhe për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.