Një grua me inicialet A.C. dhe një burrë me inicialet T.E., të dy nga Kosova, si dhe shtetasi A.N. nga Maqedonia e Veriut, janë të arrestuarit në aksionin policor ku u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të fshatit Doganaj në Kaçanik.
Tre të dyshuarit janë arrestuar gjatë operacionit të zhvilluar të premten, ndërsa rasti dyshohet të ketë edhe një dimension tjetër, pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se dyshohet për përfshirjen e një zyrtari policor.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.
Sipas Sveçlës, gjatë operacionit njëra nga veturat e dyshuara ka tentuar t’i ikë Policisë, duke shkaktuar aksidente trafiku. Për ta ndaluar atë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit.
Lidhur me dyshimet për përfshirjen e zyrtarit policor, është angazhuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili do të hetojë dhe sqarojë rrethanat e rastit.


