Policia e Kosovës ka intensifikuar aktivitetet në qytetin e Pejës, në kuadër të planit operativ “PARANDALIMI”, me qëllim të luftimit të kriminalitetit dhe rritjes së sigurisë publike.
Gjatë kësaj jave, njësitë e Stacionit Policor në Pejë, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Shpejtë të Reagimit, kanë ekzekutuar tetë urdhëresa të gjykatës.
Sipas njoftimit të Policisë, dhjetëra persona janë shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme, përfshirë persona të kërkuar nga organet e drejtësisë dhe persona të ftuar për çështje të ndryshme procedurale.
Krahas aktiviteteve për parandalimin e kriminalitetit, Policia ka intensifikuar edhe kontrollet në komunikacionin rrugor.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar mbi 300 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut.
Aktivitetet policore janë zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë, me fokus të veçantë gjatë fundjavës.
Policia ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme.


