Rozeta Hajdari nuk është paraqitur në seancë, pasi gjykata ishte njoftuar se ajo nuk ndodhej më në adresën e Kuvendit të Kosovës, ku i ishte dërguar ftesa.
Ndërkaq, Irfan Lipovica kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të një udhëtimi jashtë vendit, ndërsa Ridvan Muharremi mungoi për shkak të një operimi.
Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e rezervave shtetërore, ku ndër të akuzuarit është ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Në seancën e së premtes, i pranishëm ishte vetëm i akuzuari Hafiz Gara.
Gjyqtari Avni Syla ka bërë të ditur se ftesa për Hajdarin ishte dërguar në adresën e Kuvendit të Kosovës, të cilën ajo e kishte dhënë për komunikim me gjykatën. Megjithatë, gjykata ishte njoftuar se ajo nuk ndodhej më në vendin e punës, pasi nuk është deputete në legjislaturën aktuale.
Seanca nuk është mbajtur edhe për shkak të mungesës së dy të akuzuarve të tjerë. Sipas gjyqtarit Syla, Irfan Lipovica kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të një udhëtimi jashtë vendit, ndërsa Ridvan Muharremi mungoi për shkak të një operimi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 mars 2026, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të ngritur më 11 nëntor 2025 nga Prokuroria Speciale.
Mbrojtësit kishin pretenduar se dosja ishte e klasifikuar si “Sekret shtetëror”, se nuk kishin pasur qasje të plotë në shkresat e lëndës dhe se provat ishin siguruar në kundërshtim me ligjin. Ata kishin kontestuar edhe afatin e hetimeve.
Në anën tjetër, Prokuroria kishte argumentuar se veprimet e secilit të pandehur ishin individualizuar në aktakuzë dhe se nuk kishte bazë për përjashtimin e provave apo hedhjen e saj.
Themelorja kishte vlerësuar se aktakuza mbështetej në prova të mjaftueshme për vazhdimin e procedurës penale dhe se ishte ngritur brenda afatit të zgjatur të hetimeve, deri më 17 gusht 2026.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 nëntor 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit, ish-zëvendëssekretarit të MINT-it, Irfan Lipovica, ish-drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, dhe afaristit Ridvan Muharremi.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa Muharremi për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm prej 2,912,134.78 eurosh.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit, duke iu shmangur procedurave të konkurrencës, kishin negociuar dhe nënshkruar kontratë me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” për blerjen e 10 mijë tonëve grurë, në vlerë prej 4,834,778 eurosh. Sipas aktakuzës, çmimi i kontraktuar ishte 193.48 euro më i lartë për ton sesa çmimi mesatar i tregut.
Po ashtu, ata akuzohen se kishin lidhur kontratë me kompaninë polake “Xanto SP. ZO. O” për blerjen e 200 mijë litrave vaj dhe 120 mijë kilogramëve sheqer, të cilat, sipas Prokurorisë, pavarësisht pagesës, nuk ishin dorëzuar.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen gjithashtu se i kishin zbuluar Muharremit informacione për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore.
Detajet e pretendimeve të Prokurorisë janë publikuar në dosjen e aktakuzës. Për rolin e të akuzuarve, Betimi për Drejtësi ka raportuar në artikujt për Rozeta Hajdarin, Irfan Lipovicën dhe Hafiz Garën dhe Ridvan Muharremin.
Për këtë rast është realizuar edhe emisioni “Akuzat speciale për rezervat shtetërore”, i transmetuar më 15 nëntor 2025./BetimipërDrejtësi

