Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Suharekë, Ardian Shala, ka kritikuar udhëheqjen komunale për gjendjen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), duke pretenduar se pacientët dhe punonjësit shëndetësorë po përballen me të ftohtin për shkak të mungesës së lëndëve ngrohëse.
Në një postim në Facebook, Shala ka thënë se, ndonëse temperaturat janë të ulëta, qytetarët që kërkojnë shërbime shëndetësore në këtë institucion duhet të përballen edhe me mungesën e ngrohjes.
Ai ka theksuar se përgjegjësia për këtë gjendje nuk bie mbi mjekët dhe personelin shëndetësor, por mbi udhëheqjen komunale.
“Kjo nuk është përgjegjësi e mjekëve dhe personelit shëndetësor, të cilët janë aty për t’u shërbyer qytetarëve. Kjo është pasojë e mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe dështimit për të siguruar kushte elementare për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë”, ka shkruar Shala.
Ai ka bërë përgjegjës kryetarin e Komunës dhe drejtorin e Shëndetësisë për sigurimin e kushteve të nevojshme dhe funksionimin normal të institucioneve shëndetësore.
“Kjo është e pafalshme! Kjo është turp! Kjo është papërgjegjësi! Kjo është neglizhencë! Kjo është mungesë respekti ndaj qytetarit!”, ka deklaruar Shala.
Sipas tij, qytetarët kanë nevojë për shërbime shëndetësore dhe kushte dinjitoze, e jo për atë që e ka cilësuar si reklama dhe fotografi propagandistike.
“Një institucion shëndetësor nuk duhet të jetë vendi ku qytetari rrezikon të ftohet duke kërkuar shërim”, ka shkruar ai.
Në fund, Shala ka theksuar se shëndetësia duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe jo të përdoret për promovim.
“Shëndetësia nuk është për reklamë, por për shërbim ndaj qytetarit!”, ka përfunduar ai.


