Lajme

Ardian Gjini del në terren bashkë me strukturat e Aleancës, takon biznese e qytetarë në Prizren

11/26/2026 20:17
nga:Genita C

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka vazhduar ciklin e takimeve me qytetarë nëpër komunat e Kosovës. Në prag të festave të nëntorit, Gjini ka qëndruar sot në Prizren, ku së bashku me anëtarë të Aleancës nga të gjitha strukturat ka zhvilluar takime me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve lokale.

Gjatë vizitave, Gjini është takuar me punëtorë të filigranit, të cilët ruajnë një prej zejeve më të njohura të trashëgimisë kulturore të Prizrenit, si dhe me përfaqësues të kompanive prodhuese që eksportojnë produktet e tyre në tregjet evropiane.

Në veçanti, ai ka vizituar kompaninë “Proton Cable”, ku është pritur nga vëllezërit Dida, e cila prodhon mbi 800 tonë kabllo në vit, si dhe “Gerti Foods”, prodhuesin e vetëm në Kosovë të tortillave dhe petëve të donerit, me eksporte në Gjermani, Francë dhe Hungari.

Gjini ka theksuar se gjatë këtyre takimeve ka dëgjuar nga afër sfidat me të cilat përballen prodhuesit vendorë, duke veçuar krizën e energjisë elektrike, infrastrukturën dhe barrën fiskale.

Ai ka ritheksuar qëndrimin e Aleancës për ngritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, me qëllim të krijimit të kushteve më të favorshme për zhvillimin e bizneseve.

Në takimin përmbyllës me qytetarë, Gjini ka përcjellë mesazhin se Kosova nuk guxon të dështojë edhe njëherë, duke theksuar nevojën për një qasje të re qeverisëse, ku në qendër të vendimmarrjes është qytetari.

Ai ka thënë se Aleanca do të vazhdojë angazhimin në terren dhe do të insistojë për një qeverisje që zhvillon ekonominë, përmirëson arsimin dhe shëndetësinë, si dhe krijon shpresë për të ardhmen e qytetarëve.