Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar proceset e përzgjedhjes së kandidatëve për borde në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe agjencione të tjera.
Ajo ka thënë se këto procese nuk po zhvillohen mbi bazën e meritokracisë, duke pretenduar se vlerësimi i kandidatëve në intervista është bërë në mënyrë të padrejtë dhe me ndikime politike.
Kadrijaj ka deklaruar se ka pasur raste kur kandidatët që kanë treguar performancë të dobët në intervista janë vlerësuar me pikët maksimale, ndërsa ata që kanë dëshmuar përgatitje dhe kanë merituar vlerësim më të lartë, janë vlerësuar me pikë minimale.
Sipas saj, kjo mënyrë e përzgjedhjes ka ndikuar që kandidatët me integritet të tërhiqen nga gara, pasi nuk kanë besuar në drejtësinë e procesit.
“Ka interferenca politike. Ai që i ka më shumë kriteret politike për të qenë në bord apo në agjenci, ka dalë i përzgjedhur”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ajo ka vënë në pikëpyetje integritetin e komisioneve vlerësuese, duke thënë se në këto procese po mbizotërojnë interesat politike dhe jo kriteret profesionale.


