Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se nisma ligjore për Dhomat e Specializuara në Hagë duhet të diskutohet me të gjitha subjektet politike, para se të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka theksuar se kjo nismë nuk është më vetëm e PDK-së, pasi është mbështetur nga 88 deputetë të Kuvendit, ndaj, sipas tij, nevojitet konsensus më i gjerë politik.
Hoxhaj ka bërë të ditur se drafti përmban çështje që duhet të diskutohen me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike, ndërsa përgjegjësia për procedimin e mëtejmë të tij u takon Qeverisë dhe komisioneve parlamentare.
Duke folur për konsultimet me Bashkimin Evropian, Hoxhaj ka thënë se do të ketë takime me përfaqësuesit e tij, por ka theksuar se vendimmarrja për këtë çështje i takon Kosovës. “Bashkimin Evropian ne do ta takojmë, do të konsultohemi. Kemi pasur edhe dje takime, do të kemi edhe sot takime. Por kjo nuk do të thotë që do t’i dëgjojmë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka përsëritur qëndrimin se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, ndërsa ka thënë se Kosova nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për ta mbrojtur historinë dhe shtetësinë e saj përmes mjeteve demokratike.
“Lufta jonë ka qenë e drejtë, lufta jonë ka qenë e pastër, liria jonë nuk është krim. Pavarësia e Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ka deklaruar ai.
Hoxhaj ka kërkuar transparencë të plotë në punën e Dhomave të Specializuara, si dhe të drejtën e institucioneve të Kosovës për monitorimin e procesit.
Ai ka kritikuar edhe qëndrimet publike të disa diplomatëve evropianë, për të cilat ka thënë se po shoqërohen me presion ndaj Kosovës. Sipas tij, vendimet e Gjykatës Speciale nuk duhet të përdoren për të cenuar shtetësinë e vendit.


