Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka theksuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi janë kushte kyçe për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në deklarimin për media pas samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Costa ka bërë thirrje që vendet e rajonit të përqendrohen në tejkalimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe të lënë pas sfidat që burojnë nga e kaluara.
“Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Sfidat që burojnë nga e kaluara duhet të tejkalohen. Është koha të shikojmë përpara dhe jo prapa. Vetëm atëherë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë përparim të vërtetë”, ka deklaruar Costa.
Ai ka thënë se samiti i sotëm ka riafirmuar perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa ka përmendur përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë si dëshmi se anëtarësimi është një mundësi reale për vendet që angazhohen në këtë proces.
“Progresi i bërë nga Mali i Zi dhe Shqipëria dëshmon se pranimi në Bashkimin Evropian nuk është një iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen. Këtë vit, filluam hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kemi ndërmarrë për më shumë se dhjetë vjet. Shqipëria gjithashtu ka filluar të mbyllë kapitujt e negociatave. Të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, nëse dëshirojnë, mund të bëjnë përparim në rrugën e tyre të pranimit”, ka deklaruar mes tjerash ai.

