Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka themeluar Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave.
Sipas njoftimit të Presidencës, ky këshill do të shërbejë si platformë shtetërore për avancimin e të drejtave, sigurisë, pjesëmarrjes dhe pavarësisë ekonomike të grave dhe vajzave në Kosovë.
Themelimi i këshillit vjen në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Presidentja Shiroka Pula ka theksuar se fuqizimi i grave nuk lidhet vetëm me përfaqësimin dhe barazinë formale, por edhe me drejtësinë, dinjitetin njerëzor, demokracinë dhe të ardhmen e vendit.
Prioritetet kryesore të këtij këshilli do të jenë fuqizimi ekonomik dhe financiar i grave, si dhe adresimi i dhunës ndaj tyre. Në këtë drejtim, presidentja ka bërë thirrje për zero tolerancë ndaj dhunës, diskriminimit dhe mohimit të mundësive të barabarta.
Këshilli do të përfshijë përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, profesioniste të pavarura, komunitete dhe partnerë ndërkombëtarë, me qëllim identifikimin e mangësive dhe hartimin e rekomandimeve konkrete.
Në fund, presidentja ka ftuar institucionet dhe shoqërinë civile që të bëhen pjesë e kësaj nisme, duke theksuar se fuqizimi i grave është përgjegjësi e përbashkët e gjithë shoqërisë.

