Duke iu bashkuar thirrjes së Kosovës për të raportuar dhunën, shefat e misioneve diplomatike të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të tij anëtare në Kosovë vizituan sot ekspozitën e Zake Prelvukajt “E djeshmja më tregoi të ardhmen” në Europe House në Prishtinë, duke shënuar fillimin e fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.
Në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë thuhet se në vitin 2026, vendi ka regjistruar tetë raste të femicidit, ndërsa është nisur një hetim parlamentar për rastin e fundit dhe funksionimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës, transmeton IndeksOnline.
Shefat e misioneve përcollën një mesazh të përbashkët: siguroni drejtësi, mbroni të mbijetuarat, jepini fund pandëshkueshmërisë.
“Dinjiteti njerëzor, barazia gjinore dhe sundimi i ligjit janë vlerat themelore të BE-së. Si partneri më i fuqishëm i Kosovës, BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për arritjen e barazisë gjinore dhe për të siguruar që gratë dhe vajzat të jetojnë pa asnjë formë të dhunës”, thuhet në njoftim.


