Lajme

Komandanti i KFOR-it dhe ambasadori slloven flasin për situatën e sigurisë në Kosovë

11/25/2026 07:55
nga:L J

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Roberto Vergori, u takua me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.

Takimi zuri vend në selinë e KFOR-it, në kampin “Film City” në Prishtinë, transmeton IndeksOnline.

Në njoftimin e KFOR-it bëhet e ditur se takimi shërbeu si mundësi për të diskutuar mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, procesin e vazhdueshëm të optimizimit të KFOR-it, si dhe kontributin e misionit në stabilitetin rajonal.

“Gjeneralmajor Vergori shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj KFOR-it, si dhe për rolin e çmuar që kanë luajtur Forcat e Armatosura Sllovene në përpjekjet e misionit për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për të kontribuar në stabilitetin e rajonit më të gjerë” deklaron KFOR-i.