Lajme

Ali Ahmeti letër të hapur ministrit të Drejtësisë: Provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe

11/24/2026 12:22
nga:Mergim Rreci

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i ka drejtuar një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me të drejtën e shqiptarëve për ta dhënë provimin e jurisprudencës dhe provimet e tjera profesionale shtetërore në gjuhën shqipe.

Në letrën e tij, Ahmeti ka kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se institucionet shtetërore janë të obliguara të mundësojnë zhvillimin e procedurave edhe në gjuhën shqipe.

“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe i hyrë në fuqi në vitin 2019, përfaqëson një akt dhe arritje të rëndësishme në përmbushjen e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, në përputhje me Amendamentin V të Kushtetutës dhe Marrëveshjen Paqësore të Ohrit, prej së cilës buron dhe me të cilën lidhet kjo e drejtë. Marrëveshja e Ohrit është njëherazi pikëkthesa dhe gurthemeli i përfshirjes juridike dhe institucionale të shqiptarëve në vend. Miratimi i këtij ligji nuk ka qenë aspak një proces i lehtë. Ai u arrit përmes një përpjekjeje të gjatë politike, e cila u përball me rezistencën e vazhdueshme të qarqeve të caktuara politike maqedonase” – shkroi ai mes tjerash.