Hektor Avdyli, 21 vjeç, është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballet me akuza federale lidhur me një operacion të dyshuar të krimit kibernetik, që përfshinte shitjen e të dhënave të vjedhura të kartelave bankare dhe informacioneve personale në forume të Dark Web-it.
Sipas Not Guilty TV, hetimi i FBI-së bëri që agjentët, në mënyrë të fshehtë, të blinin më shumë se 27 mijë numra të kartelave bankare të vjedhura, së bashku me të dhënat personale përkatëse, nga një shitës të cilin më vonë e identifikuan si Avdyli.
Hetuesit gjithashtu pretendohet se kanë zbuluar rreth 2.7 milionë numra të kartelave të pagesave në njërin prej disqeve të tij, përfshirë kartela krediti, debiti dhe dhuratash.
Të dhënat e vjedhura, sipas raportimit, përfshinin numrat e kartelave, kodet e sigurisë, emrat, adresat, numrat e telefonit dhe adresat elektronike. Rreth 300 persona në këtë bazë të të dhënave kishin adresa në Wisconsin, raporton Not Guilty TV.
Nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, ishte arrestuar në Kosovë në korrik të vitit 2026, pas një kërkese të autoriteteve amerikane, dhe më pas ishte ekstraduar në ShBA.
Më 20 nëntor 2026, ai u paraqit para një gjykate federale në Milwaukee, ku u urdhërua të mbetet në paraburgim deri në zhvillimin e gjykimit.
Ai përballet me akuza që përfshijnë mashtrim përmes komunikimeve elektronike (wire fraud), mashtrim me pajisje të qasjes (access device fraud) dhe vjedhje të rëndë të identitetit (aggravated identity theft).


