Lajme

Bajrami: Reduktimet e energjisë lejohen edhe me vendim të Kuvendit, masat emergjente po përdoren për të arsyetuar ndërprerjet

11/20/2026 10:11
nga:L J

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, duke kritikuar Qeverinë për menaxhimin e krizës energjetike.

Përmes një postimi, Bajrami ka deklaruar se vendimi i miratuar nga Kuvendi ua mundëson institucioneve që, për një periudhë prej 60 ditësh, të ndërpresin furnizimin me energji elektrike, kurdo dhe kudo.

Sipas saj, ky vendim nuk do të përmirësojë furnizimin me energji, por do t’i mbrojë KEDS-in dhe KESCO-n nga paditë e mundshme për dëmet e shkaktuara nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Bajrami ka vënë në pikëpyetje edhe ndikimin që mund të ketë angazhimi i ndërmarrjes Ibër-Lepenc për prodhimin e energjisë për Shërbimin Universal, duke theksuar se kapaciteti i saj i instaluar është rreth 30 megavat.

Postimi:

NGA SOT REDUKTIMET E ENERGJISE LEJOHEN EDHE ME VENDIM TE KUVENDIT

Të nderuar qytetarë, ju që po përballeni me reduktime,

Mbrëmë, pas mesnatës, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, LVV-ja votoi vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë – kjo është domethënia e masave emergjente në sektorin e energjisë.

Tash, për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim. Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron

KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Po, vendimi e detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 MW. Tash mendojeni vetë sa mundet me u përmirësu gjendja me 30 MW.

Ky vendim mbi të gjitha vlen:

– Për t’i arsyetuar reduktimet,
– Për blerjen e energjisë elektrike, duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik,
– Për kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit,
Mos të harrojmë, masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021. Gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente.

Ndërkohë:
– Nuk ka kontrata afatgjata për blerje të energjisë.
– Remontet kanë dështuar dhe kontratat janë lidhur shumëfish më shtrenjtë.
– Strategjia e Energjisë nuk po zbatohet.
– Nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese.

Ka vetëm një zgjidhje: kapacitete të reja gjeneruse. Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet, shumë shpejt do të vijmë në pikën ku as qytetarët e as buxheti i Kosovës s’ka me i përballu faturat e energjisë.