Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Pietro Spera, në një përgjigje drejtuar Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ka sqaruar kufijtë e mandatit të tij lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në proceset që zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në letrën e datës 17 nëntor, të publikuar nga deputeti i PDK-së, Artan Behrami, Spera konfirmon se ka pranuar ftesën e Komisionit, për të diskutuar lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Dhomat e Specializuara, në raport me rastet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës
Megjithatë, ai thekson se mandati i tij ligjor nuk e lejon ndërhyrjen në çështjet apo procedurat gjyqësore që zhvillohen para Dhomave të Specializuara, përveç rasteve kur bëhet fjalë për vonesa të paarsyeshme.
Sipas Behramit, pavarësia gjyqësore nuk nënkupton përjashtim nga llogaridhënia institucionale, teksa raportimi para Kuvendit nuk është ndërhyrje në proceset gjyqësore.


