Lajme

Kadrijaj: Një nënë e papunë pagoi 16 mijë euro për katër doza imunoterapie

11/13/2026 13:42
nga:L J

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se shëndetësia është njëra nga shtyllat themelore të shtetit dhe çështje e dinjitetit kombëtar.

Gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës, Kadrijaj ka ngritur pyetjen nëse shëndetësia është prioritet i Qeverisë, duke theksuar se qasja në shërbime shëndetësore nuk duhet të varet nga mundësitë financiare të qytetarëve.

Sipas saj, shëndetësia duhet të jetë prioritet veçanërisht për personat që përballen me gjendje të vështira shëndetësore dhe që nuk kanë mundësi t’i përballojnë shpenzimet e trajtimit.

“Një qytetare që humbi jetën në mungesë të barërave, u pat deklaruar, a me jetu a me ble barëra”, deklaroi Kadrijaj.

Ajo ka kërkuar gjithashtu zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, duke thënë se kjo do të ndihmonte në lehtësimin e barrës financiare për pacientët.

Kadrijaj ka përmendur edhe rastin e një nëne të papunë, e cila, sipas saj, është detyruar të paguajë 16 mijë euro për katër doza të imunoterapisë, meqë një dozë kushton rreth 4 mijë euro.

Ajo ka theksuar se qytetarët po detyrohen të zgjedhin mes blerjes së barnave dhe sigurimit të nevojave elementare për jetesë.