Lajme

PSRK kërkoi avancimin e shtatë prokurorëve, KPK shpall konkurs për katër pozita

11/13/2026 12:02
nga:L J

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Dren Paca, ka kërkuar shpalljen e konkursit për avancimin e shtatë prokurorëve në pozita të lira, por Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të shpallë konkurs për vetëm katër pozita.

Paraprakisht, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, bëri të ditur se kërkesa e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të PSRK-së ishte për avancimin e shtatë prokurorëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas diskutimeve, KPK-ja vendosi që konkursi të shpallet për katër pozita.

Gashi tha se gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese duhet të merret parasysh edhe fakti se mungesë të prokurorëve ka edhe në prokuroritë e tjera.

Paraprakisht, anëtari Visar Krasniqi tha se ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të PSRK-së duhet të merret edhe me organizimin e punës brenda kësaj prokurorie, pasi që, sipas tij, ka prokurorë që për një kohë të gjatë nuk janë paraqitur fare në Pallatin e Drejtësisë për të marrë pjesë në seancat gjyqësore.