Lajme

Ndryshimet në Ligjin për Specialen, Britania: Amendamentet e propozuara mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Kosovës me partnerët

11/12/2026 18:41
nga:L J

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur frikën se amendamentet e propozuara për Ligjin e Speciales nuk do t’u shërbejnë interesave të Kosovës.

Reagimi i Ambasadës britanike vjen pasi në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës është futur në rend dite edhe kërkesa e PDK-së për shqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Kemi frikë se amendamentet e propozuara nuk do t’u shërbejnë aspak interesave thelbësore të Kosovës dhe do të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë”, tha Ambasada britanike.

Më tej, Ambasada thotë se e kanë marrë “plotësisht parasysh shkallën e pakënaqësisë lidhur me aktgjykimet e fundit”, por theksohet se “besojmë se interesave të Kosovës mund t’u shërbehet më së miri duke siguruar që ajo të vazhdojë t’i respektojë zotimet e saj ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit”.