Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati 15 vite më parë. Jashari ndodhet në arrati që nga viti 2011, andaj është propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë. Seanca u ndërpre për shkak se mbrojtja nuk është pajisur me shkresa të lëndës.
Në seancë mungon i akuzuari Jashari, i cili ndodhet në arrati, andaj Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tij të zhvillohet në mungesë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të pranishëm në sallë janë gjyqtarja e rastit Sulltane Hoti, prokurorja Fatmire Cacaj, përfaqësuesja e palës së dëmtuar- avokatja Miranda Haxhiu, si mbrojtësi i viktimave Visar Ahmetxhekaj.
Po ashtu, të pranishëm në seancë janë mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Haxhi Millaku dhe Arditë Berisha (e caktuar sipas detyrës zyrtare).
Avokati Millaku tha se i është cenuar e drejta kushtetuese si kategori mbrojtëse, pasi nuk është dorëzuar obligimi ligjor nga prokurori i shtetit që ta pajis me shkresa të lëndës.
“Edhe pse unë pranova sot aktakuzën nga Gjykata, e cila mban datën 30.11.2023, nuk është plotësuar as obligimi ligjor nga prokurori i shtetit që të më dërgohen shkresat e lëndës”, tha Millaku.
Sipas tij, informacionin për këtë gjykim, e mori nga mediat.
“Me marr vesh unë prej mediave kur ka gjykim, për hir të ndodhive të fundit në Kosovë, gjithçka mund të quhet por jo drejtësi. Çka ka bë kjo lëndë nga 2023-a në gjykatë?”, u shpreh Millaku.
Avokati tha se i mbrojturi i tij pavarësisht veprës që akuzohet se ka kryer, duhet që gjykimi ndaj tij të jetë i drejtë dhe konform aktit juridik më të lartë kushtetues, dhe të aplikohen të gjitha normat ndërkombëtare për një gjykim të drejtë.
Andaj, Millaku kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet derisa të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës.
“Me qëllim që vetëm drejtësia të shkojë në vend qoftë për palën e dëmtuar, qoftë për të mbrojturin”, u shpreh Millaku.
Ai po ashtu kërkoi nga Gjykata që të bëjë një kërkesë në Këshillin Prokurorial lidhur me arsyen pse nuk është pajisur me shkresat e lëndës, duke shtuar se autorizimi i tij është në shkresa të lëndës nga dita e parë në këtë çështje.
Prokurorja Cacaj tha se shkresat i janë dorëzuar avokates Berisha, megjithatë është e drejtë e tij të pajiset me shkresa të lëndës.
Por, avokati tha se është e pavërtetë ajo që thotë prokurorja, duke theksuar se prokurorja e ka autorizimin e tij në shkresa të lëndës.
Në fund, gjyqtarja Hoti mori aktvendim me të cilin ka shtyrë seancën fillestare, duke obliguar Prokurorinë që t’ia dorëzojë shkresat e lëndës mbrojtjes.
Përmes publikimit të fotografisë, Policia ditë më parë u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë informacione për vendndodhjen e tij ta lajmërojnë policinë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 nëntor 2023, kishte ngritur aktakuzë kundër Adnon Jasharit, i cili akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati 15 vjet më parë, pasi që ajo kishte refuzuar të kthehej në shtëpinë e të njëjtit. Jashari gjendet në arrati nga viti 2011.
Sipas aktakuzës, Adnon Jashari akuzohet se më 18 maj 2011, rreth orës 10:30 minuta, në udhëkryqin e rrugëve “Haxhi Zeka”dhe “Xheladin Kurbaliu” në Prishtinë, në afërsi të shtëpisë ku tani e ndjera Diana Kastrati jetonte te prindërit e saj, pas prishjes së raporteve me ish-bashkëshortin e saj jashtëmartesor, tani të pandehurin Jashari, me të cilin kishin një fëmijë, për shkak se në 2 vitet e fundit i pandehuri vazhdimisht e kishte maltertuar fizikisht dhe psiqikisht, Kastrati dhe prindi i saj- tani i dëmtuari Gëzim Kastrati kishin kërkuar edhe urdhër mrbojtës nga gjykata.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari pas disa përpjekjeve të mëhershme si dhe një ditë më parë, për të bindur tani të ndjerën Kastrati që përkundër vullnetit të saj, të shkojë dhe jetojë me të pandehurin në shtëpinë e tij, ajo nuk kishte pranuar, dhe në ditën kritike, i pandehuri e kishte përcjellë tani të ndjerën dhe befasisht ia kishte zënë rrugën, e pastaj me përdorimin e dhunës ishte munduar ta marrë me vete.
Mirëpo, akzakuza thotë se tani e ndjera nuk ishte bindur dhe derisa dëshironte të largohej nga i pandehuri, ky i fundit nga hakmarrja e paskrupullt dhe me dashje që ta privojë nga jeta, nga brezi e kishte nxjerrë revolen, ndërsa me një dorë e ka mbajtur për koke tani të ndjerën, ka shtënë dy herë me revole në drejtim të saj dhe e ka qëlluar në qafë nga afërsia, e pastaj e ka futur armën në brez dhe me hapa normal ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugës së Tregut.
Ndërsa, tani e ndjera Kastrati sipas aktakuzës, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, si pasojë e goditjes vdekjeprurëse nga arma e zjarrit.
Me këtë, Adnon Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar. 1.3 dhe 1.8 të Kodit Penal.
Sipas pikës II të dispozitivit të aktakuzës, i pandehuri Jashari nga periudha kohore e pacaktuar e deri më 18 maj 2011, në shtëpinë e tij, ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, armën e tipit të panjohur të kalibrit 7.6 5mm, të cilën e ka përdorur në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur.
Ndërsa, në po të njëjtën ditë, në dysheme të dhomës afër anës së djathtë të dritares në katin e dytë të shtëpisë së të pandehurit, policia ka gjetur dhe sekuestruar, një gëzhojë fisheku, brusha dhe lecka për pastrimin e armës, një fotrollë plastike e dorezës së armës Combat si dhe një këllëf brezi të pistoletës.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtaj në pronësi, kontroll ose psoedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Prokuroria plotësoi aktakuzën më 19 mars 2026
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2026, ka bërë plotësimin e aktakuzës, pas kërkesës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, pasi që Prokuroria në aktakuzën filelstare iu kishte referuar Kodit Penal të Republikës së Kosovës (i cili ka hyrë në fuqi më 14 prill 2019), mirëpo në kohën e kryerjes së veprës penale kishte qenë në fuqi Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës, i cili ka qenë në fuqi nga 6 prilli 2004 deri në janar 2013.
Përkatësisht, Prokuroria ndryshoi atakuzën në “Vrasje e rëndë” nga neni 147, par.9 i Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, par.2 i Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi


