Lajme

Sijarina pas takimit me kryeprokurorin: Kërkojmë drejtësi për Arlindën, të shtunën protestë kombëtare

11/05/2026 11:02
nga:Genita C

Liridona Sijarina, pas takimit me kryeprokurorin e Shtetit, Zejnullah Gashi, ka kërkuar trajtim urgjent të rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt dhe rasteve të femicidit, duke insistuar që personat përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë të mos mbeten të paprekshëm.

Ajo ka shprehur dyshime për mungesën e afateve konkrete dhe ka paralajmëruar vazhdimin e protestave deri në marrjen e përgjegjësisë nga institucionet.

“Ne parashtruam kërkesat tona dhe insistuam që Kryeprokurori i Shtetit, pavarësisht se i ka nisur rastet në Këshillin Prokurorial, ta marrë me urgjencë çështjen e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe të rasteve të femicidit. Ajo që u tha dhe për çka e garantuam edhe Kryeprokurorin e Shtetit dhe koordinatorin kundër dhunës në familje është se nuk do të ketë më njerëz të paprekshëm nga ata brenda. Dhe këtë e dimë nga e kaluara, që ka pasur njerëz të paprekshëm dhe që i gjithë zinxhiri i sistemit të drejtësisë vazhdon të qeveriset dhe të mbahet nga njerëz që janë të paprekshëm. Por, i garantuam brenda se, nëse do të ketë njerëz të paprekshëm në punën tonë, angazhimin tonë do ta kanalizojmë pikërisht drejt atyre që kanë për t’i ndalur këta njerëz të paprekshëm”, ka thënë ajo.

Sijarina ka njoftuar gjithashtu se të shtunën, në orën 12:00, do të mbahet protestë kombëtare.