Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se në muajt në vijim kjo parti do të zhvillojë zgjedhjet e brendshme, të cilat i ka cilësuar si mundësi për ripërtëritjen dhe fuqizimin e strukturave partiake.
Këtë ajo e ka bërë të ditur në hapje të mbledhjes të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku në rend dite është edhe diskutimi për zgjedhjet e brendshme të partisë.
Nagavci ka thënë se këto procese duhet të zhvillohen me përgjegjësi, bashkëpunim dhe përkushtim të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së anëtarësisë.
“Zgjedhjet e brendshme janë një mundësi për ripërtëritjen dhe fuqizimin e strukturave tona, pjesëmarrjen e anëtarësisë dhe forcimin e mëtejshëm të organizimit tonë”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka përmendur edhe përmbylljen e procesit të konstituimit të institucioneve të Kosovës, përkatësisht Kuvendit, Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentes.
Nagavci ka thënë se tani pritet angazhim në përmbushjen e zotimeve programore, avancimin e reformave dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Në fjalën e saj, ajo ka përmendur edhe rastin e vrasjes së Alinda Zekajt, duke e cilësuar atë si krim që kërkon veprime urgjente institucionale dhe angazhim gjithëshoqëror. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm janë të pranishëm delegatë të LVV-së.


