Lajme

Kurti për zgjedhjet në Serbi: Shqiptarët arritën rezultatin më të mirë që nga viti 2000

10/31/2026 13:51
nga:L J

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rezultatin e koalicionit shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se është më i miri i arritur nga shqiptarët që nga viti 2000.

Kurti ka bërë të ditur se koalicioni shqiptar mori 27.670 vota dhe siguroi dy mandate parlamentare.

“Koalicioni shqiptar mori 27.670 vota, plot 1.233 më shumë se në vitin 2020, që ishte vetë me rekordin e votave për shqiptarët, duke e shënuar kësisoj rezultatin më të mirë për shqiptarët që nga viti 2000 dhe duke siguruar dy mandate parlamentare”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka vlerësuar bashkimin e subjekteve politike shqiptare, duke thënë se ky rezultat është arritur falë vendosjes së interesit të përgjithshëm mbi atë partiak.

Kurti ka komentuar edhe ndryshimet në skenën politike serbe, duke thënë se lista studentore doli e para, koalicioni i ish-presidentit Aleksandar Vuçiq humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit.

Ai ka shprehur shpresën që ndryshimet politike në Serbi të sjellin qasje të re ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Prandaj shpresojmë që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Kurti./RTK