Lajme

“Duhet të përballesh edhe me stigmatizimin”, Shahini flet për reagimet e njerëzve pas diagnozës së kancerit

11/01/2026 21:07
nga:L J

Psikologia Mimoza Shahini ka rrëfyer për një nga përjetimet e para të stigmatizimit pas përballjes me diagnozën e kancerit, duke theksuar se njerëzit që përballen me këtë sëmundje, përveç sfidave shëndetësore, duhet të përballen edhe me reagimet e mjedisit përreth.

“Unë u bëra aktive, nuk e mora asnjë ditë pushim, u ktheva në punë. Ishim në një konferencë dhe u takova me një nga ish-studentët e mi. Kur i tregova për eksperiencën time, më tha: Profesoreshë, po më vjen keq, faleminderit që e ndave me mua”, rrëfen Shahini.

Përmes kësaj përvoje, Shahini vë në pah barrën shtesë emocionale që mund të përjetojnë personat me kancer, të cilët krahas përballjes me sëmundjen, mund të përballen edhe me paragjykime dhe reagime që ndikojnë në mënyrën se si ndihen dhe trajtohen nga të tjerët.

“Unë fillova të mendoj se për çfarë i erdhi keq atij. Kjo ishte stigma e parë me të cilën u ballafaqova dhe më shkoi mendja te të gjithë njerëzit që përballen me këtë sëmundje. Çfarë stigmatizimi. E kam menduar se sa njerëz duhet të përballen me problemin e tyre, por në njërën anë duhet të përballen edhe me stigmën e mjedisit”, shprehet psikologia./GazetaBlic