Lajme

Prokurorja e mori si dëshmitar Albert Sylajn, edhe pse Arlinda Zekaj e kishte denoncuar se e kanosi me vdekje

10/30/2026 14:54
nga:L J

Prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri udhëzoi që Albert Sylaj të intervistohej si dëshmitar më 22 tetor, edhe pse Arlinda Zekaj e kishte denoncuar se ai e kishte kanosur me fjalët “Largomu, largomu se të mys”.

Tri ditë më vonë, Albert Sylaj u bë i dyshuar për vrasjen e saj. Kështu thuhet në kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj prokurores, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila është edhe koordinatore për dhunën në familje në Prokurorinë Themelore në Pejë, ishte prokurore kujdestare më 22 tetor, kur Policia e njoftoi se urdhri mbrojtës i Arlinda Zekajt nuk po zbatohej dhe se në shtëpinë e saj në Vitomiricë po qëndronin të afërmit e ish-bashkëshortit.

Sipas kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit, të datës 29 tetor, prokurorja nuk e kishte vlerësuar kanosjen që Arlinda Zekaj ia kishte atribuuar kunatit të saj.

“…prokurorja kujdestare kishte udhëzuar që tani i pandehuri Albert Sylaj të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, duke anashkaluar faktin e kanosjes direkte për privim nga jeta dhe duke mos vlerësuar rrezikshmërinë që po i kanosej direkt tani të ndjerës Arlinda Zekaj”, thuhet në kërkesë.

Kërkesa bazohet në raportin e koordinatorit nacional për rastet e dhunës në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorit Ersan Qavolli. Raporti konstaton se Albert Sylaj u mor në pyetje në orën 18:45, ndërsa Arlinda Zekaj e nisi deklaratën e saj në orën 19:09.

“Në pyetjet që u janë parashtruar palëve, askund nuk vërehet të jetë parashtruar ndonjë pyetje lidhur me kanosjen dhe atë me fjalët ‘…largomu, largomu se të mys’”, thuhet në raport.

Me udhëzim të prokurores, rasti mbeti me shënim zyrtar. Pamjet e kamerave të sigurisë në shtëpi nuk u sekuestruan nga organet hetimore. Sipas emailit të Policisë, prokurorja kishte udhëzuar që “palët Albert dhe Jeton Sylaj të udhëzohen që të sigurojnë pamjet e kamerave të sigurisë të cilat janë të vendosura në shtëpinë e tyre dhe të njëjtat t’i prezantojnë si prova”.

Raporti i koordinatorit thotë se, për shkak të rrezikut të paralajmëruar nga Arlinda Zekaj, duhej të lëshohej urdhër për sigurimin e pamjeve të kamerave.

“…ka qenë dashur të lëshohet urdhri për sigurimin e kamerave dhe më pas të vlerësohet nëse çështja duhet të mbetet me shënim zyrtar apo të dërgohet në prokurori. Përtej kësaj, nuk kemi asnjë provë se është vlerësuar edhe e kaluara kriminale e të pandehurit”, thuhet në raport.

Në përgjigjen e saj për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorja Nallbani-Gacaferri thotë se nuk e inicioi rastin, pasi deklaratat ishin kundërthënëse. Sipas saj, vajza e mitur e Albert Sylajt deklaroi se Arlinda Zekaj e kishte goditur me bërryl, ndërsa familjarët e tjerë e mohuan kanosjen.

Prokurorja thotë se e kishte udhëzuar Policinë që të siguroheshin pamjet e kamerave dhe se atë natë ishte përpjekur ta bindte Arlinda Zekajn që të mos kthehej në shtëpi.

Koordinatori nacional e përmbyll raportin me këtë përfundim:

“Konsideroj se çështja e kanosjes, kur e ndjera e ka raportuar kunatin e saj Albert Sylaj, i cili më pas e ka privuar nga jeta, nga ana e prokurorisë nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur.”

Kryeprokurori i Shtetit i ka kërkuar Këshillit Prokurorial të Kosovës fillimin e hetimeve disiplinore dhe suspendimin e prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri.