Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist sot (e mërkurë) organizon protestë kombëtare, përmes së cilës kërkohet drejtësi për vrasjet e grave.
Protesta mbahet nga ora 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kjo protestë vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, e cila kishte kërkuar mbrojtjen e shtetit në luftën e saj për kujdestarinë e djalit, por që shteti dështoi t’ia ofronte atë mbrojtje.
Kolektivi në një njoftim ka bërë të ditur se në këtë protestë do t’i jepet ultimatum shtetit që jetën e grave me e marrë seriozisht dhe femicidin ta trajtojë si urgjencë kombëtare.
Po ashtu, institucioneve do t’u jepet afat 24 orëc për shkarkime të zyrtarëve që dështuan të mbronin jetën e Arlinda Zekajt.
“Të revoltuar/a, ne i japim afat 24 orë institucioneve që të fillojnë me shkarkime e hetime të zyrtarëve që e kanë dërguar me duart e tyre Arlindën drejt vrasjes”, thuhet në njoftim.
Kolektivi ka theksuar se në protestë nuk janë të mirëseardhur politikanët, madje ata që paraqiten do të largohen.
“Përveç ultimatumit ndaj institucioneve, i njoftojmë partitë politike që nuk janë të mirëseardhura në protestë. Çdo politikan/e i partive parlamentare do të largohet nga protesta, qoftë edhe me konfrontim. Ne e kundërshtojmë, qoftë edhe me konfrontim, çdo përpjekje të partive politike për ta shfrytëzuar dhe tregtuar kufomat e grave për kalkulime partiake. Revolta është e jona, dhe është e drejtuar kundër krejt juve. Nga ju lypet veprim, jo zaptim i zërit tonë popullor”, thuhet më tej.
Kolektivi ka ftuar qytetetrët që t’iu bashkëngjiten në protestë çdo ditë nga sot “për t’ia dërguar në vend amanetin e Arlindës, e që është: asnjë nga ta të mos mund të flejë rehat pa drejtësi!l”.


