Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e grave.
Ajo ka kërkuar që letra e Arlindës të vendoset në institucionet e Kosovës si kujtesë për përgjegjësinë institucionale dhe ka bërë thirrje për protesta të përditshme para Qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar siguri për gratë dhe drejtësi për viktimat.
Reagimi i plotë;
Letra lapidare e Arlinda Zekajt, e cila e vizaton si kurrë më parë mjerimin institucional dhe dështimin monumental të shtetit, duhet të vendoset në çdo institucion të Republikës, krahas fotografisë së Presidentes.
Ky akt do duhej ta prekte ndërgjegjen e çdo zyrtari në institucionet e sigurisë, para çdo veprimi apo vendimi, sidomos kur rrezikohet jeta e grave.
Por, në asnjë mënyrë nuk pres që kjo të bëhet nga udhëheqësit e sotëm institucionalë, të cilët, në kushte normale, do të duhej të dorëhiqeshin para asaj hallkës përgjegjëse të (pa)drejtësisë në Pejë, ku përgjegjësit tashmë do të duhej të ishin në burg.
Prandaj, ju ftoj të gjithëve, jo veç nesër, por të protestojmë çdo ditë para qeverisë e institucioneve të tjera të drejtësisë, për revoltë kombëtare për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë. Për siguri e liri për gratë e gjalla e drejtësi për gratë e vrara!


