Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës në gjykimin për mashtrim me “Call Center”, u mbrojtën në heshtje 20 të akuzuarit Kushtrim Gecaj, Idriz Lipa, Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Çlrim Qelaj, Fatmir Kala, Florida Hoti, Ilir Sejdija, Suana Peja, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivo Xhahysa, Alen Dhimitri, Erald Lila, Adem Muqiqi, Klodina Recani, Elmedina Recani, dhe Qamile Abazi.
Po ashtu, në këtë seancë u bë bashkimi i procedurës për të akuzuarin Ilir Sejdijaj, të cilit iu veçua procedura një ditë më parë.
Në këtë rast, 22 të akuzuar ngarkohen nga Prokuroria se përmes një skeme të organizuar kriminale në formën e të ashtuquajturës “Cybertranding” apo tregtisë kibernetike, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshëm shuma të mëdha të parave, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, njoftoi se do të bëhet bashkimi i procedurës penale për të akuzuarin Sejdijaj.
Mbrojtësi i të akuzuarit Sejdijaj, avokati Taulant Ismajli, deklaroi se e kundërshton propozimin e bërë në seancën e kaluar nga prokurorja speciale Arbresha Shala për dëgjimin e dëshmitarit Fatmir Bunjaku, me arsyetimin se ky dëshmitar nuk është relevant për të mbrojturin e tij.
Më pas, gjyqtari Krasniqi e refuzoi propzimin e prokurores Shala për dëgjimin e dëshmitarit Bunajku, ndërsa aprovoi porpozimin që të lexohet deklarata e tij e dhënë në Prokurori më 10 shkurt 2023.
Më pas, seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale, ku prokurorja Shala deklaroi se Prokuroria nuk ka prova të reja për të propozuar, ndërsa propozoi që të lexohen provat materiale të propozuara si në aktakuzë. Këtë propozoim, e aprovoi gjyqtari.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Idriz Lipa, avokati Fanol Krasniqi, deklaroi se provat të cilat janë mbledhur para se të nxirret akvendimi për zhvillimin e hetimeve, janë prova të papranueshme dhe nuk kanë fuqi provuese në procdurë penale.
Avokati Krasniqi propozoi që të gjitha provat e sigurara para datës 10 mars 2021 të shpallen të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Mendim Tetaj, avokati Haxhi Millaku, e mbështeti kundërshtmin e avokatit Krasniqi, si dhe kundërshtoi administrimin si provë të deklaratës së dëshmitarit Bunjaku, duke thënë se kësaj deklarate i mungon kredibiliteti.
Më tej, pasi që mbrojtësit deklaruan se nuk kanë propozime për administrimin e provave të reja, seanca vijoi me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit, ku pas konsultimit me mbrojtësit e tyrë, të gjithë të akuzuarit deklaruan se do të mbrohen në heshtje.
Andaj, seanca tjetër do të vazhdojë me dhënien e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.
Në seancën e 15 korrikut 2026, është veçuar procedura për të akuzuarit: Andi Fosa dhe Elmedina Reçani. E në seancën e 26 tetorit 2026, u veçua procedura edhe për Mario Kepin dhe Ilir Sejdijajn, ndërsa u bë bashkimi i procedurës për të akuzuarën Elmedina Reçani. Sejdijajt iu bashkua procedura me të akuzuarit tjerë në seancën e sotme (27 tetor 2026).
Në seancën fillestare të mbajtur më 23 dhjetor 2024, të akuzuarit Andi Fosa, Kushtrim Gecaj, Idriz Lipa, Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Çlrim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, Florida Hoti, Ilir Sejdija, Suana Peja, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivo Xhahysa, Alen Dhimitri, Erald Lila, Adem Muqiqi, Klodina Recani, Elmedina Recani, dhe Qamile Abazi, ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
I akuzuar në këtë rast është edhe Leotrim Haxhiaj, por ndaj tij ishte veçuar procedura, pasi që ndodhej në Gjermani.
Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 6 qershor 2024, Andi Fosa, akuzohet se si pronar i kompanisë “Future Media”, bashkë me Kushtrim Gecajn dhe Idriz Lipën si pjesë e menaxhmentit që nga viti 2018 dhe në vazhdimësi deri më 31 mars 2021, kishin vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki.
Ndërkaq, për të akuzuarit Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlrim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, thuhet se ishin në pozitën e operatorëve telefonik, duke telefonuar qytetarët gjermanë që kanë qenë të interesuar dhe tani janë të dëmtuar. Këta të akuzuar, thuhet se janë paraqitur me emra të rrejshëm me qëllim që t’i bindin të bëjnë pagesa në emër të investimit, me premtimin se do fitojnë shuma të larta parash.
Kurse, Florida Hoti, akuzohet se në pozitën “Back office”, duke vepruar si anëtare e këtij grupi ishte marrë me sigurimin e kontakteve dhe të dhënat e personave të interesuar në Gjermani dhe caktimin e agjentëve me të cilët ata do bashkëpunonin.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, mashtrimi përmes “Cybertranding” ishte kryer përmes platformave që paraqiten si tregtarë në faqet e internetit www.goldsteinvest.com, www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com dhe www.swissinv24.com, në të cilat shtetasit gjermanë kishin investuar, por që këto para kishin përfunduar në llogarinë e kompanisë “Future Media LLC”. Dëmi i pretenduar vetëm nga të dëmtuarit nga kjo kompani është afër 4 milionë euro.
Për këtë, Andi Fosa akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të akuzuarit Gecaj, Lipa, Hajredini, Tetaj, Kabashi, Zllanoga, Haxhiaj, Qelaj, Kepi, Kala dhe Hoti, akuzohen po ashtu për “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 1 dhe veprën penale të “Mashtrimit”.
Andi Fosa, për të cilin në aktakuzë thuhet se ka gjendje të dobët ekonomike, bashkë me Idriz Lipën dhe Kushtrim Gecajn, akuzohen edhe për shpëlarje parash në bashkëkryerje nga 2020 deri më 31 mars 2021.
Sipas aktakuzës, në llogaritë e kompanive “Future Media” dhe “Media Data”, në Prishtinë, kanë hyrë para nga shtete si Çekia, Britania e Madhe, Hungaria, Irlanda, Polonia, Latvia, Sllovakia dhe Bullgaria, përmes bankave korrespodente në Gjermani, të cilat ishin fituar përmes “Call Center”. Kështu, në mënyrë që këto para të fituara kundërligjshëm të duken si pasuri e fituar në mënyrë të rregullt, këto mjete janë deponuar në kompanitë “Idan Color” që merret me riparimin dhe ngjyrosjen e veturave dhe “Fosa Beuty Center”.
Në aktakuzë thuhet se këto kompani kishin lëshuar fatura fiktive në emër të shërbimeve të cilat nuk kishin ndodhur kurrë dhe nuk arsyetonin shumën e transaksioneve që ishin rreth 300 e 50 mijë euro, ku mbi 242 mijë euro me vendim të gjykatës janë ngrirë dhe mbi 107 mijë euro janë paguar në emër të ATK-së.
Të tre, akuzohen për veprën penale “Shpëlarje parave” nga neni 302 i KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.
Për ndihmë në shpëlarjen e këtyre parave, po akuzohen edhe Erald Lila dhe Adem Muqiqi, të cilët në cilësinë e punëtorëve të “Idan Color”, me seli në Prishtinë kishin ndihmuar tre të akuzuarit Fosa, Lipa dhe Gecaj në shpëlarjen e parave duke lëshuar fatura fiktive si dhe kishin bërë pagesa me para në dorë (cash) për kompani tjera të furnizimit në mënyrë që të kishin rritje të qarkullimit për të arsyetuar lëvizjen e parave të kundërligjshme.
Për këtë, ata akuzohen për “Ndihmë në shpëlarjen e parave”, nga neni 302 lidhur me nenin 33 të KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.
Sipas Prokurorisë, Klodiana Raçani, Elmedina Reçani dhe Qamile Abazi, akuzohen se në bashkëkryerje kishin ndihmuar Andi Fosën t’i fsheh afër 2 milionë euro, duke i marrë nga banesa e tij dhe dërguar në banesën e tyre, por pas informatave operative të njëjtat ishin gjetur dhe sekuestruar.
Për këtë, ato akuzohen se në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380, par 3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së.
Sejdija dhe Peja, po akuzohen për “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 lidhur me veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Në anën tjetër, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivo Xhahysa dhe Alen Dhimitri po akuzohen se nga fundi i vitit 2020 deri më mars 2021 si operatorë telefonik në kompaninë “Big Fuse”, kanë mashtruar dhe vënë në lajthim të interesuarit në Gjermani për të bërë tregti kibernetike, por që “investimet” e tyre i kishin kaluar kompanisë. Kështu, të dëmtuarve të paraqitur iu kanë shkaktuar dëm mbi 360 mijë euro. Andaj, akuzohen për “Mashtrim” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së. Për të lexuar aktakuzën e plotë, klikoni KËTU /BetimipërDrejtësi


