Çka është politika dhe pushteti në vendet e Ballkanit Perëndimor: përgjegjësi publike apo mundësi për privilegje dhe fuqi ekonomike për ata që i zotërojnë?
Autor: Ismet Kryeziu
Gjithnjë e më shumë, mënyra e të bërit politik, po ndikon në mënyrën se si perceptohen partitë, politikanët dhe vetë pushteti. Në vend që politika të shihet si hapësirë ku përplasen ide, programe dhe vizione për të ardhmen, politika po perceptohet gjithnjë e më shumë si garë për të fituar pozita, ndikim dhe përfitime.
Këto shqetësime nuk lidhen vetëm me mënyrën se si qytetarët i shohin politikanët, por edhe me vlerësimin që ata kanë për demokracinë, funksionimin e institucioneve dhe mundësinë që pjesëmarrja e tyre të sjellë ndryshim.
Një pasqyrë e këtij perceptimi e publikuar nga Balkan Barometer, anketë vjetore e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, e cila mbulon gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe mat, ndër të tjera, besimin në institucione, perceptimet politike dhe pritjet e qytetarëve. Në edicionin e vitit 2025, 77% e të anketuarve shprehën pak ose aspak besim te partitë politike, ndërsa 70% shprehën pak ose aspak besim te parlamentet.
Gjatë diskutimeve për krizën politike dhe institucionale në Kosovë, dikush pyeti: “Çka po na duhet parlamenti? Kush i duron tash këta të ashtuquajtur deputetë?” Ishte një pyetje që mund të tingëllojë shpërfillëse ndaj demokracisë parlamentare, por që, në të njëjtën kohë, shpreh një zhgënjim për rolin, përgjegjësit dhe funksionet e tyre si te zgjedhur.
Në thelb të kësaj pyetjeje qëndron perceptimi se deputetët janë shndërruar në një makineri votuese, më shumë të përkushtuar ndaj vendimeve të partive të tyre sesa ndaj ushtrimit të mandatit dhe përfaqësimit të qytetarëve. Kur parlamenti nuk arrin të ushtrojë mbikëqyrje efektive mbi qeverinë, të kërkojë llogari dhe të sigurojë transparencë, të përfaqësojë qytetarët dhe të hartojë ligje kualitative, atëherë pse duhet ti bëhet barrë fiannciare për qytetarët. Atëherë problemi nuk kufizohet vetëm te besimi në deputetë. Ai lidhet me një çështje themelore të demokracisë: kush e kontrollon pushtetin dhe kujt i jep llogari ai?
Një tregues tjetër për kontekstin rajonal është Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International për vitin 2025. Në shkallën nga 0 deri në 100, ku rezultati më i lartë tregon perceptim më të ulët të korrupsionit në sektorin publik, Mali i Zi mori 46 pikë, Kosova 43, Maqedonia e Veriut 40, Shqipëria 39, Bosnja dhe Hercegovina 34 dhe Serbia 33 pikë.
Këto rezultate nuk matin drejtpërdrejt mënyrën se si qytetarët i perceptojnë liderët politikë dhe as nuk provojnë se çdo politikan apo institucion është i përfshirë në korrupsion. Ato ofrojnë, megjithatë, një pikë referimi për sfidat që lidhen me integritetin e sektorit publik dhe besimin në qeverisje.
…..
Në një pjesë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, politikanët shpesh perceptohen më shumë si biznesmenë; më shumë si kapo, të rrethuar nga truproja, kolona automjetesh dhe makina të blinduara, sesa si njerëz të zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve. Disa bëhen pjesë e rubrikave rozë, duke u shfaqur si modele të një jete luksoze, të pasurisë dhe të privilegjeve, më shumë sesa si njerëz me ide, vizion dhe vullnet për ta ndryshuar shoqërinë.
Sigurisht, as pasuria, as siguria personale dhe as mënyra e jetesës së një politikani nuk janë, në vetvete, dëshmi e keqpërdorimit të pushtetit. Problemi lind kur këto pamje bëhen simbol i jetë politike: kur krijohet përshtypja se hyrja në pushtet nuk nënkupton vetëm marrjen e përgjegjësisë për qeverisjen, por edhe fitimin e një statusi të veçantë, privilegjeve dhe mundësive që nuk janë të qasshme për qytetarët e zakonshëm.
Kjo mënyrë e perceptimit të pushtetit lidhet edhe me mënyrën se si funksionojnë partitë politike dhe me figurën e liderit brenda tyre. Në shumë raste, vendimmarrja përqendrohet te lideri dhe te një rreth i ngushtë njerëzish, ndërsa servilizmi dhe besnikëria personale marrin më shumë rëndësi sesa përkushtimi ndaj një ideje apo qëllimi politik. Anëtarët dhe përfaqësuesit partiakë mund të ndihen të detyruar të dëshmojnë vazhdimisht afërsinë me liderin, në vend që të kontribuojnë në debatet për politikat publike, të zhvillojnë ide të reja apo të kërkojnë llogari për vendimet e marra.
Në një lidership që synon të ndërtojë institucione dhe organizatë politike të qëndrueshme, njerëzit përreth liderit duhet të kenë kapacitete, njohuri dhe aftësi që e plotësojnë dhe, në shumë raste, edhe e tejkalojnë përvojën e tij. Një lider i tillë krijon hapësirë për mendime të ndryshme, nxit zhvillimin e njerëzve të rinj dhe përgatit vazhdimësinë e organizatës përtej mandatit të vet. Por kur lideri rrethohet kryesisht nga njerëz që varen prej tij dhe nuk e sfidojnë vendimmarrjen e tij, partia rrezikon të humbasë kapacitetin për t’u ripërtërirë.
Këtë problem e shohim edhe në mënyrën se si disa liderë në rajon vazhdojnë të paraqiten si ofertat kryesore politike pas shumë vitesh në drejtimin e partive ose të institucioneve. Edhe pas dy apo tri dekadash angazhim politik, largimi nga skena ose hapja e rrugës për njerëz të rinj nuk duket gjithmonë pjesë e vizionit të tyre. Sikur këta të ishin të vetmit që mund të udhëheqin, të marrin vendime dhe të veprojnë për të mirën e përgjithshme.
Problemi nuk është se një lider qëndron gjatë në politikë. Problemi shfaqet kur vazhdimësia e liderit zëvendëson ripërtëritjen e partisë, kur besnikëria personale bëhet kriter për avancim dhe kur mungon gatishmëria për t’u hapur rrugë njerëzve, ideve dhe alternativave të reja. Në këto rrethana, politika rrezikon të shndërrohet nga një ofertë për qytetarët në një mundësi personale për ata që e kontrollojnë atë.
…..
Kjo marrëdhënie ndërmjet pushtetit dhe interesit personal nuk përfundon te lidershipi. Ajo në të gjitha shtetit të Ballkanit ka krijuar rrjete më të gjera njerëzish, të cilët e shohin angazhimin partiak si mundësi për të qenë afër pushtetit ose për të përfituar prej tij. Dikush kërkon një vend pune, dikush një tender, dikush mundësi për biznesin e vet, e dikush tjetër një mundësi karriere që ndoshta nuk do ta kishte pa këtë lidhje apo angazhim partiak.
Natyrisht, pjesëmarrja në parti dhe mbështetja për një subjekt politik nuk nënkuptojnë automatikisht interesa personale apo përfitime të parregullta. Qytetarët kanë të drejtë të angazhohen politikisht, të mbështesin ide dhe të synojnë pozita publike. Problemi praktik për qytetarët e Bllkanit Perindimor se është normalizuar lidhja partiake si rruga kryesore, apo edhe si kusht, për të fituar punë, kontrata, mundësi biznesi ose avancim profesional, pavarësisht meritës dhe kritereve të barabarta për të gjithë.
Për pasojë, partitë kanë humbur besimin e qytetarëve dhe më shumë perceptohen; jo si organizata që përfaqësojnë ide dhe interesa shoqërore, por si rrjete përmes të cilave shpërndahen mundësitë dhe përfitimet. Në këto rrethana, mbështetja politike dhe ajo për pushtetin nuk lidhet vetëm me bindjet dhe programet, por edhe me pritjet për përfitime, me frikën e humbjes së tyre, ose arsye të forta për ta ruajtur atë.
…..
Sigurisht, jo çdo politikan dhe jo çdo pushtet funksionon kështu. Në rajon ka përpjekje për reforma, profesionistë në institucione dhe njerëz që hyjnë në politikë për të realizuar ide dhe për t’i shërbyer interesit publik. Por kur privilegji, besnikëria personale dhe lidhjet politike perceptohen si rrugë të rëndësishme drejt ndikimit dhe mundësive, kuptimi i përfaqësimit demokratik e humb vlerën.
Në fund, çështja nuk është vetëm se si jetojnë politikanët apo sa gjatë qëndrojnë liderët në krye të partive të tyre, apo të qeverive. Çështja është nëse politika dhe pushteti ushtrohen si përgjegjësi ndaj qytetarëve apo si mundësi për të ruajtur ndikimin dhe privilegjet e një rrethi të caktuar.
Kur kjo perceptohet si e tillë, politikanët nuk shihen më si përfaqësues të qytetarëve, por si njerëz që sillen sikur shteti dhe qytetarët u përkasin atyre.