Sulmuesi i Hoffenheimit, Fisnik Asllani, ka folur për periudhën e vështirë që kaloi gjatë verës, problemet mjekësore dhe rikthimin e tij në fushë, teksa po vazhdon të tregojë formë gjithnjë e më të mirë.
Golat janë zakonisht çelësi i suksesit për një sulmues, por realizimi i parë i Fisnik Asllanit në garat evropiane, i shënuar javën e kaluar kundër Besiktasit, kishte një domethënie të veçantë.
Sulmuesi i Hoffenheimit kaloi një verë jashtëzakonisht të vështirë, gjatë së cilës shpresat për të bërë hapin e radhës në karrierë u ndërprenë për shkak të problemeve mjekësore të lidhura me transferimin e tij të mundshëm te Leipzigu.
“Nuk ishin disa javë të lehta, por unë përsëri u përpoqa të jepja gjithçka, qoftë në palestër apo kudo tjetër”, u shpreh Asllani.
Futbollisti shqiptar preferoi të mos ndalej te vendimi i Leipzigut, duke theksuar se për të, më e rëndësishmja ishte rikthimi në fushën e lojës.
“Para së gjithash, jam shumë i lumtur që jam rikthyer në fushë. Është ndjesia më e mirë, veçanërisht kur po del nga një periudhë e vështirë”, deklaroi sulmuesi.
Transferimi i dështuar i kushtoi Asllanit kohë të rëndësishme përgatitjeje, ndërsa vonesa në rikthimin e tij ngriti pikëpyetje rreth gjendjes fizike. Megjithatë, sulmuesi i Hoffenheimit po tregon se po e gjen gradualisht formën e tij më të mirë.
/GazetaBlic Sport/


