Debat

Mbështetja e Kosovës për Shqipërinë evropiane nuk duhet të jetë mbështetje e verbër për një politikan, por një zgjedhje e bazuar në interesin kombëtar

10/18/2026 12:42
nga:Arbnor Sadiku

Mendoj se është gabim që Kosova ta shohë politikën shqiptare vetëm përmes simpative personale apo raporteve të dikurshme politike. Është e vërtetë se Sali Berisha ka qenë dhe mbetet një nga politikanët më të preferuar në Kosovë, jo vetëm për shkak të qëndrimeve të tij politike, por edhe për shkak të origjinës nga Tropoja dhe perceptimit të tij si një figurë e afërt me shqiptarët e Kosovës. Përjashtim bëjnë kryesisht qarqet e LPKsë që historikisht kanë pasur raporte të kundërta me të.

Megjithatë, duhet ta pranojmë një realitet: Berisha i përket një epoke politike që po perëndon. Pavarësisht simpative që mund të kemi për të, e ardhmja e opozitës shqiptare duhet të vijë nga populli, nga rinia dhe nga një brez i ri i Partisë Demokratike, jo nga rikthimi i pafund i figurave të së kaluarës. Një politikan 80-vjeçar nuk mund të jetë pafundësisht shpresa e vetme e një opozite që pretendon të përfaqësojë të ardhmen.

Por kjo nuk do të thotë se Kosova duhet ta kundërshtojë Shqipërinë evropiane vetëm për shkak të Edi Ramës apo raporteve të tij të dikurshme politike me LDK-në dhe lidhjeve të tij politike me LVV-në. Integrimi evropian i Shqipërisë është interes strategjik i të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Prandaj, mendoj se mbështetja e Kosovës për rrugën evropiane të Shqipërisë mund të jetë e arsyeshme edhe në rrethanat aktuale, por duhet të shoqërohet me një pritshmëri të qartë politike: ky duhet të jetë mandati i fundit i Edi Ramës.

Rama ka bërë një gabim të madh duke qëndruar kaq gjatë në pushtet. Përqendrimi i pushtetit dhe korrupsioni masiv që e ka shoqëruar qeverisjen e tij kanë dëmtuar besimin e qytetarëve dhe kanë krijuar një problem serioz për demokracinë shqiptare. Askush nuk duhet të qëndrojë në pushtet aq gjatë sa shteti të fillojë të identifikohet me të.

Megjithatë, në rrethanat aktuale, kur Shqipëria ka ende nevojë për një drejtim të qartë drejt Bashkimit Evropian dhe kur nuk shihet një alternativë e re, e konsoliduar dhe e përgatitur për ta udhëhequr këtë proces, mendoj se largimi i menjëhershëm i Ramës nuk është domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë. Kjo nuk është mbështetje pa kushte për të, por një vlerësim pragmatik i situatës politike.

Shqipërisë i duhet një alternativë e re, demokratike, evropiane dhe e pakorruptuar. Një opozitë që nuk mbështetet vetëm te e kaluara, por që u jep hapësirë të rinjve, ideve të reja dhe njerëzve që mund ta rikthejnë besimin e qytetarëve te politika.

Si shqiptarë të Kosovës, ne duhet të mendojmë përtej simpative personale. Interesi ynë është një Shqipëri e fortë, demokratike dhe anëtare e Bashkimit Evropian. Por po aq i rëndësishëm është edhe interesi që Shqipëria të ketë institucione funksionale, rotacion demokratik dhe një klasë politike që e kupton se pushteti nuk është pronë personale.

Mbështetje për Shqipërinë evropiane, jo për pushtetin e përjetshëm. Respekt për historinë, por besim te brezi i ri. Sepse e ardhmja e shqiptarëve nuk mund të mbetet peng i politikanëve të së kaluarës.

EDI s’bën të shkoj tani, pikë.