Ushtruesi i detyrës së trajnerit te Malisheva, Kastriot Rexha, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas barazimit 1-1 ndaj Prishtinës.
Rexha vlerësoi se, pavarësisht mungesave në ekip, Malisheva ka arritur ta përmbushë objektivin në dy ndeshjet e fundit, ndaj Dritës dhe Prishtinës, duke grumbulluar katër pikë.
“Nëse e shohim në përgjithësi, në këto dy ndeshje me Dritën dhe Prishtinën, duke i marrë parasysh edhe mungesat, kemi marrë katër pikë dhe ky ishte objektivi ynë”, deklaroi Rexha.
Ai theksoi se pjesa e parë ishte e balancuar dhe se skuadra e tij arriti ta shfrytëzonte momentin e duhur, ndërsa shtoi se Malisheva mund të kishte marrë edhe fitoren.
“Mungesat kanë bërë të vetën. Skuadra e meritoi një barazim dhe, me pak fat, mund të fitonim, por jam shumë i kënaqur me skuadrën time”, u shpreh ai.
Rexha tregoi gjithashtu se plani i Malishevës ishte administrimi i lojës dhe shfrytëzimi i hapësirave përmes kundërsulmeve.
“Kemi provuar ta administrojmë ndeshjen dhe të dalim në kundërsulme. Ajo që kemi bërë na bën të kënaqur. Djemtë e kanë dëshiruar më shumë fitoren, por jemi aty”, theksoi trajneri.
Sipas tij, ndalimi i kundërshtarit të drejtpërdrejtë ka rëndësi të veçantë në këtë fazë të kampionatit.
“E kemi ndalur kundërshtarin direkt dhe kjo, në fund të kampionatit, ka shumë peshë”, shtoi Rexha.
Rexha paralajmëron kujdes ndaj Vushtrrisë
Duke folur për sfidën e radhës ndaj Vushtrrisë, Rexha bëri thirrje që kundërshtari të mos nënvlerësohet, pasi mund të krijojë vështirësi.
“Vushtrria nuk duhet nënçmuar në asnjë moment, pasi mund të shkaktojë probleme. Ne do të përpiqemi ta mbajmë ekipin nën kontroll dhe ta vlerësojmë shumë kundërshtarin”, përfundoi Kastriot Rexha.
Malisheva synon të vazhdojë me rezultate pozitive edhe në ndeshjet e ardhshme, me synimin për të përmbushur objektivat e saj në vazhdim të kampionatit.
/GazetaBlic Sport/


