Gëzon Berisha, koordinator i Shoqatës së Gurorëve, Minierave dhe Betonit, ka kritikuar mbylljen e gurëthyesve dhe ndaljen e prodhimit vendor, duke paralajmëruar për rrezikimin e vendeve të punës dhe rritjen e varësisë së Kosovës nga importi, raporton GazetaBlic.
Ai ka theksuar se mbrojtja e mjedisit duhet të shkojë paralelisht me ruajtjen e prodhimit vendor, duke kërkuar nga ministrja Fitore Pacolli dhe institucionet përgjegjëse zgjidhje konkrete për bizneset që përballen me vështirësi.
Reagimi i plotë:
Mbyllja e gurëthyesve dhe ndalja e prodhimit vendor ngrenë pyetje serioze për të ardhmen e bizneseve, vendet e punës dhe varësinë ekonomike të Kosovës nga importi.
Mjedisi duhet mbrojtur, por edhe prodhimi vendor duhet të ruhet. Ligji duhet të zbatohet, por institucionet duhet të ofrojnë edhe zgjidhje konkrete.
Mbyllja e guroreve dhe ndalja e prodhimit vendor nuk mund të shiten si sukses, duke i lënë bizneset në prag të falimentimit, punëtorët pa paga dhe ekonominë e Kosovës gjithnjë e më të varur nga importi.
Kauzat e rreme nuk mund ta mbulojnë pafundësisht realitetin ekonomik. Qytetarët duan punë, zhvillim dhe mirëqenie, jo vendime që e godasin prodhimin vendor dhe i detyrojnë bizneset të luftojnë për mbijetesë.
Ministrja Fitore Pacolli dhe institucionet përgjegjëse duhet t’u përgjigjen pyetjeve konkrete: A është kjo mënyra se si mbrohet ekonomia e Kosovës? A është ky vizioni për zhvillimin e vendit tonë?
Ne jemi për mbrojtjen e mjedisit, për zbatimin e ligjit dhe për kontrollin e çdo biznesi që shkel standardet. Por mbrojtja e mjedisit nuk duhet të shndërrohet në arsyetim për ta paralizuar prodhimin vendor, kur ekzistojnë mundësi për zgjidhje ligjore, kontrolle dhe përmirësime teknike.
Kur mbyllen guroret tona, kur ndalen fabrikat tona dhe kur prodhuesit kosovarë detyrohen të tërhiqen nga tregu, kërkesa për materiale ndërtimore nuk zhduket. Ajo vazhdon të ekzistojë dhe plotësohet përmes importit.
Dhe këtu lind pyetja që kërkon përgjigje: kur prodhimi vendor dobësohet dhe importi rritet, kush po përfiton ekonomikisht?
Ndërsa bizneset kosovare humbin tregun, vendet e punës rrezikohen dhe kapitali ynë dobësohet, prodhuesit e huaj fitojnë mundësi më të mëdha për të furnizuar tregun e Kosovës. Përfshirë edhe prodhuesit nga Serbia.
A nuk është paradoks që një shtet që synon ta forcojë pavarësinë ekonomike të vetën, me politika të gabuara rrezikon t’ia rrisë varësinë nga importi?
Kujt po i shërben kjo situatë? A janë analizuar pasojat ekonomike të këtyre vendimeve? A është llogaritur sa vende pune humben, sa të ardhura tatimore rrezikohen dhe sa më shumë para mund të dalin nga Kosova drejt tregjeve të huaja?
Këto nuk janë pyetje kundër mbrojtjes së mjedisit. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale, për zhvillimin ekonomik dhe për interesin shtetëror.
Kosova nuk mund të ndërtohet duke i mbyllur bizneset e veta, duke i lënë punëtorët pa punë dhe duke ua hapur rrugën produkteve të importuara. Na duhen institucione që i ndihmojnë bizneset t’i përmbushin standardet, jo politika që rrezikojnë t’i nxjerrin ato jashtë tregut.
Mjedis po, por edhe ekonomi e fortë!
Ligjshmëri po, por jo burokraci që e mbyt prodhimin vendor!
Kontrolle po, por edhe zgjidhje konkrete për bizneset dhe punëtorët!
Kosova ka nevojë për prodhim, investime, vende pune dhe institucione që e mbrojnë interesin ekonomik të vendit.
Në fund, pyetja mbetet: nëse bizneset tona mbyllen, prodhimi ynë ndalet dhe importi rritet, kush po fiton dhe kush po humb?
Sepse një gjë duhet ta kuptojmë të gjithë: kur dobësohet ekonomia vendore, dobësohet edhe shteti. Dhe asnjë kauzë nuk duhet të përdoret për ta fshehur këtë realitet.


