Lajme

Wizz Air redukton me 46,7 për qind fluturimet e planifikuara nga Prishtina!

10/13/2026 16:13
nga:Gazeta Blic

Wizz Air redukton fluturimet nga Prishtina për sezonin dimëror 2026/2027.

Në Prishtinë, Wizz Air do të reduktojë frekuencat e planifikuara në disa nga linjat e reja, të cilat pritet të fillojnë operimin gjatë muajit dhjetor 2026.

Fluturimet për Frankfurt-Hahn nga katër herë në javë, janë zvogëluar në dy herë në javë. Njëjtë, Wizz Air ka vepruar edhe me linjën Prishtinë- Hamburg, pra nga 4 herë në javë, në 2.

As Malmö e as Berlini nuk i kanë ‘shpëtuar’ këtij reduktimi.

Nga katër herë në javë, numri i fluturimeve për në Malmo ka rënë në dy herë në javë.

Derisa, për Berlin nga 3 herë në javë, fluturimet janë reduktuar në dy herë në javë.

Kjo do të thotë se kompania do të ulë numrin e fluturimeve javore në këto katër linja të reja nga 15 në vetëm 8, që përfaqëson një reduktim prej rreth 46,7% krahasuar me planifikimin fillestar.

Ndryshimet do të prekin edhe disa tregje të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Beogradin, Shkupin dhe Tuzllën

Në Beograd, Wizz Air do të pezullojë përkohësisht fluturimet drejt Madridit nga 8 janari deri më 29 mars. Linja do të vazhdojë të operojë tri herë në javë gjatë nëntorit dhe dhjetorit, përpara se të ndërpritet përkohësisht gjatë muajve të dimrit.

Kjo linjë u inaugurua më 28 tetor të vitit të kaluar dhe konkurron drejtpërdrejt me kompaninë Air Serbia. Gjatë periudhës janar-gusht, Wizz Air transportoi 45.137 pasagjerë në këtë linjë, me një nivel mesatar të mbushjes së ulëseve prej 90,8 për qind.

Përveç Madridit, reduktime të frekuencave priten edhe në disa linja të tjera nga Beogradi, kryesisht nga janari deri në mars. Ndër destinacionet e prekura janë Dortmundi, Beauvais, Bergamo dhe Barcelona. Gjithashtu, kompania do t’i ndërpresë fluturimet mes Beogradit dhe Friedrichshafenit në përfundim të sezonit veror.

Në Shkup, kompania do të pezullojë fluturimet drejt Larnakës për të gjithë sezonin dimëror. Fluturimi i fundit është planifikuar për 23 tetor, ndërsa shërbimet pritet të rifillojnë më 31 mars.

Wizz Air nuk do ta operojë më as linjën Shkup–Lion, e cila tashmë është ndërprerë. Ndërkohë, reduktime të frekuencave do të ketë edhe në linjat drejt Baden-Badenit, Shtutgartit, Pragës, Madridit, Hamburgut, Friedrichshafenit, Barit, Stokholmit, Londrës Luton dhe Bolonjës. Në rastin e Bolonjës, fluturimet do të reduktohen në vetëm një herë në javë gjatë një pjese të sezonit dimëror.

Edhe në Tuzëll, Wizz Air do të pezullojë fluturimet drejt Larnakës gjatë sezonit dimëror. Shërbimet në këtë linjë pritet të rifillojnë më 30 mars.

Situata financiare e Wizz Air

Sipas të dhënave financiare të raportuara për periudhën deri më 01.04-30.06.2026, borxhi financiar neto i kompanisë është rritur me rreth 193 milionë euro.