Presidenti i Bayern Munichut, Herbert Hainer, ka shprehur besimin se Harry Kane do të nënshkruajë së shpejti një kontratë të re me kampionët e Bundesligës, duke hedhur poshtë raportimet për mosmarrëveshje lidhur me kohëzgjatjen e marrëveshjes së propozuar.
Duke folur për mediumin francez “Foot Mercato”, Hainer u shpreh optimist për negociatat dhe e cilësoi lumturinë e Kane në Mynih si një shenjë pozitive.
“Jam jashtëzakonisht optimist. E di nga Jan Dreesen dhe bordi se negociatat po shkojnë shumë mirë dhe se Harry me familjen e tij janë shumë të lumtur në Mynih. Prandaj, pres që së shpejti të arrihet një marrëveshje.”
Presidenti i Bayernit shpjegoi se negociatat përqendrohen në aspekte të tjera të marrëveshjes, përfshirë të drejtat e imazhit dhe të drejtat personale.
“Jo, aspak,” tha Hainer kur u pyet nëse kishte mosmarrëveshje për kohëzgjatjen e kontratës. “Bëhet fjalë për shumë detaje, si të drejtat e imazhit dhe ato personale, dhe ne do të punojmë për t’i zgjidhur ato. Çështja nuk ka të bëjë me kohëzgjatjen e kontratës.”
/GazetaBlic Sport


