Lajme

Të akuzuarit nuk i dihet vendndodhja, dështon seanca ndaj të akuzuarve për thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad

10/09/2026 14:49
nga:L J

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten ka dështuar të mbahet seanca në rigjykimin ndaj të akuzuarve Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq, të cilët ngarkohen nga Prokuroria Speciale për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, pasi që, përmes rrjeteve sociale Facebook dhe TikTok, kishin bërë thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad.

Në seancë mungoi i akuzuari Denis Bytyqi, për të cilin kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, njoftoi se Policia e kishte të pamundur ta gjente vendbanimin e tij. Ndërsa, babai i tij e kishte njoftuar Policinë se nuk e dinte se ku gjendej i biri dhe se nuk e kishte as numrin e telefonit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë arsye, seanca u shty për një afat të pacaktuar, deri në sigurimin e pranisë së të akuzuarit Bytyqi. Gjyqtarja Namani-Hajra njoftoi se ndaj tij do të lëshohet urdhërarrest.

Më 2 mars 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte dënuar të akuzuarit Bytyqi me dy vjet burgim, ndërsa Bitiqin me një vit burgim.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, përmes vendimit të 13 korrikut 2026, e kishte anuluar vendimin e Themelores dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim, me arsyetimin se aktgjykimi i Themelores nuk përmbante arsyetim të mjaftueshëm lidhur me faktet vendimtare të çështjes. Sipas Apelit, një aktgjykim i tillë i mangët përbën shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 23 shtator 2025, Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare.

Aktakuza thotë se, në vazhdimësi deri më 1 maj 2025, përmes llogarive të tyre në rrjetet sociale Facebook dhe TikTok, të akuzuarit kanë shpërndarë postime nxitëse, përmes të cilave kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad. Po ashtu, ata akuzohen se kanë publikuar postime përmes të cilave kanë shprehur përkrahje të fuqishme për ekstremizmin fetar dhe kanë mbështetur publikisht veprimet e organizatës terroriste “ISIS”, duke shprehur armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, forcave të sigurisë, liderëve politikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste “ISIS” mbi kulmin e shtëpisë së tyre dhe kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë. Sipas Prokurorisë, me këto veprime dhe postime, ata kanë rrezikuar prishjen e rendit publik.

Me këto veprime, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, nga neni 141, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal./Betimi për Drejtësi