Sporti

Tifozët e Barcelonës, bileta vetëm 7.50 euro për ndeshjen ndaj Sabahut

10/07/2026 19:45
nga:Mergim Rreci

Tifozët e Barcelonës do të kenë mundësinë ta ndjekin nga afër ndeshjen e skuadrës së tyre të zemrës ndaj Sabahut në Azerbajxhan me një çmim tejet të favorshëm.

Anëtarët e klubit dhe klubet zyrtare të tifozëve të Barcelonës tashmë mund të aplikojnë për bileta për këtë përballje, të cilat kushtojnë vetëm 7.50 euro.

Ndeshja do të zhvillohet më 25 nëntor në stadiumin e Bakusë, impiant që ka një kapacitet prej 69,870 ulësesh. Përballja i takon xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, ndërsa starti është paraparë për orën 18:45.

Biletat do të jenë të personalizuara, që do të thotë se ato mund të përdoren vetëm nga personi në emrin e të cilit janë lëshuar. Vendet e sakta në stadium do të bëhen të ditura pas marrjes së biletave.

Barcelona pritet të ketë në dispozicion rreth 3,500 bileta për tifozët e saj, në kuadër të kuotës që zakonisht u ndahet përkrahësve të skuadrave mysafire në ndeshjet evropiane.

Megjithëse çmimi i biletës është jashtëzakonisht i ulët për një ndeshje të Ligës së Kampionëve, udhëtimi drejt Azerbajxhanit pritet të jetë dukshëm më i kushtueshëm. Shpenzimet kryesore për tifozët do të jenë fluturimet drejt Bakusë, si dhe akomodimi gjatë qëndrimit në kryeqytetin azerbajxhanas.

Kështu, ndërsa hyrja në stadium mund të kushtojë vetëm 7.50 euro, udhëtimi i plotë për ta ndjekur Barcelonën nga afër pritet të kërkojë një buxhet dukshëm më të madh.

/GazetaBlic Sport/