Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar traditën e ndarjes së çmimit “Ylli i Javës”, që i dedikohet futbollistit më të dalluar të çdo xhiroje në elitën e futbollit kosovar.
Për xhiron e shtatë, ky vlerësim i ka takuar futbollistit të FC Drenicës, Gjergji Kote. Çmimi për paraqitjen e tij të spikatur iu dorëzua sot, pas një performance të rëndësishme në fitoren e skuadrës së tij.
Kote ishte ndër protagonistët kryesorë të triumfit të Drenicës ndaj Llapit me rezultat të thellë 4:0, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e skuadrës.
Paraqitja e tij në këtë ndeshje, e karakterizuar nga efikasiteti dhe ndikimi në lojën e ekipit, bëri që Kote të vlerësohej si futbollisti më i dalluar i xhiros së shtatë.
Vlerësimi për çmimin tradicional “Ylli i Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili përzgjodhi Koten si më meritorin për këtë çmim.
/GazetaBlic Sport/


