Sporti

Kapiteni i klubit të La Ligës kaloi natën në paraburgim

10/07/2026 17:47
nga:Mergim Rreci

Kapiteni i Elche-s, Josan Ferrández, është arrestuar të martën në mbrëmje në Calosa de Segura, në Spanjë, pas akuzave për dhunë ndaj gruas së tij të ndarë.

Futbollisti e kaloi natën në paraburgim dhe të mërkurën në mëngjes u paraqit para gjykatës për çështjet e dhunës ndaj grave në Orihuela, ku dha dëshminë e tij.

Sipas burimeve pranë çiftit, ata kanë dy vajza dhe marrëdhënia mes tyre kishte qenë e tensionuar. Në kuadër të denoncimit, raportohet se janë paraqitur edhe mesazhe në WhatsApp, të cilat pretendohet se përmbajnë përmbajtje poshtëruese, si dhe fotografi të mavijosjeve që dyshohet se lidhen me abuzimin e pretenduar.

Megjithatë, Elche ka dhënë një version tjetër të situatës. Klubi ka deklaruar se nuk ka dijeni për ndonjë procedurë të hapur ligjore ndaj Josanit për dhunë dhe se nuk ka asnjë denoncim në pritje lidhur me këto pretendime. Sipas klubit, lojtari tashmë është kthyer në shtëpi.

Josan Ferrandez është një nga lojtarët me përvojë të Elche-s dhe verën e kaluar rinovoi kontratën me klubin për një sezon tjetër.

/GazetaBlic Sport/