Lajme

Valon Lluka përfundon në Krimet Ekonomike, a lidhet paraqitja me përplasjen me Pacollin?

10/07/2026 11:03
nga:Genita C

Valon Lluka është parë duke hyrë në ambientet e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, raporton GazetaBlic.

Paraqitja e tij në këtë njësi vjen në një periudhë kur Lluka dhe biznesmeni Behgjet Pacolli janë përfshirë në përplasje publike dhe akuza të ndërsjella lidhur me çështje biznesore dhe financiare.

“Pagesë mbi 1.5 milion euro pa u kryer shërbime” – Pacolli me akuza të rënda ndaj ish-drejtorit të Mabetex

Megjithatë, deri në këto momente nuk ka konfirmim zyrtar se paraqitja e Llukës në Krimet Ekonomike lidhet me çështjet e përmendura apo se në çfarë cilësie është intervistuar.

GazetaBlic ka tentuar të marrë përgjigje nga Valon Lluka dhe nga Prokuroria, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Si nisi përplasja Pacolli-Lluka:

Përplasja mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe ish-administratorit të tij, Valon Lluka, nisi pas mosmarrëveshjeve rreth kontrollit dhe transferimit të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Pacolli e akuzoi Llukën për tradhti, falsifikim dokumentesh dhe tentativa për tjetërsimin e aksioneve, ndërsa Lluka i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se veprimet e tij janë bërë mbi bazën e autorizimeve zyrtare të kompanisë dhe të dokumenteve të nënshkruara nga Pacolli.

Përplasja mes tyre vijon të jetë e lidhur me betejën për pronësinë dhe kontrollin e Aeroportit të Vlorës, ndërsa të dyja palët kanë paraqitur versione të ndryshme për mënyrën se si janë kryer transaksionet dhe vendimet e kompanisë.

/GazetaBlic/