Lajme

Isufi: Kurti nuk po interesohet për çështjen e presidentit, është i gatshëm të shkojë në zgjedhje

10/02/2026 22:06
nga:L J

Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka folur për mundësinë e shkuarjes së Kosovës në zgjedhje të reja, në rast se nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Në “Blic Interview me Astrit Gashin”, Isufi ka thënë se deklaratat e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje për afatin e 6 tetorit, sipas tij, tregojnë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve.

“Në bazë të një parashikimi dhe perceptimi, jemi në zgjedhje për shkak se lideri i VV-së kur del në deklarata për media, thotë se nëse deri më 6 tetor nuk kemi president, shkojmë në zgjedhje. Nëse ai thotë të vetmin kandidat e kemi Bekim Sejdiun, ai i cili është tërhequr, ai tregon që nuk ka gatishmëri dhe kjo me dije që jemi duke shkuar në zgjedhje”, është shprehur Isufi.

“Me faktin që ka nuk një komunikim që po interesohemi për një konsensus për një president nga ana e opozitës që mund ta ofrojë, me deklaratën që më 6 tetor përfundon mandati i ushtrueses së presidentes, atëherë shkojmë në zgjedhje, kjo tregon që është i gatshëm të shkojë në zgjedhje”, ka thënë ai.

Isufi ka theksuar se, sipas tij, përgjegjësia për situatën i takon shumicës parlamentare, pasi ajo ka mundësi të ndikojë në zgjedhjen e presidentit.

“Nuk duhet t’ia lërë fajin askujt. Faji kryesor është i atij që e ka shumicën e që mundet me ndiku në zgjedhjen e presidentit. Po të kishte gatishmëri, do të kishte qenë shumë mirë edhe për frymën e demokracisë në Kosovë që presidenti të jetë nga ana e opozitës i propozuar, në mënyrë që të kemi balancë të forcave politike në Kosovë dhe një president që do të ishte neutral sa i përket funksionimit të tij”, ka deklaruar Isufi.