Lajme

Tetë raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit në Kosovë

10/01/2026 11:06
nga:L J

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gracaniçë, Ranillug, Klinë dhe Gjakovë. Tre të dyshuar u dërguan në mbajtje.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Prishtinë raportohet se një person ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj një gruaje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Prishtinë / 27.09.2026 – NN. Më 30.09.2026 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj viktimës femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Në Fushë-Kosovë u raportuan tri raste. Në të parin një grua u arrestua nën dyshimin se demoloi dhe theu orenditë e shtëpisë.

“Fushë Kosovë / 30.09.2026 – 19:29 Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi e njëjta dyshohet se kishte thyer dhe demoluar orenditë shtëpiake. Me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Në rastin e dytë, një burrë dhe një grua janë arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin.

“Fushë Kosovë / 30.09.2026 – 21:30 Janë arrestuar dy të dyshuar një mashkull dhe një femër kosovare, për shkak se pas një mosmarrëveshje verbale dyshohet se kishin sulmuar fizikisht njëri tjetrin. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas inicimit të rastit janë liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Kurse, në rastin e tretë, një burrë u arrestua nën dyshimin se ushtroi dhunë fizike ndaj një gruaje.

“Fushë Kosovë / 30.09.2026 – 23:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Kurse, në Graçanicë u arrestua një person pasi dyshohet se në gjendje të dehur sulmoi një grua.

“Graqanicë / 30.09.2026 – 20:30 Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti në gjendje të dehur dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Në Ranillug një burrë u arrestua nën dyshimin se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj një gruaje.

“Ranillug / 30.09.2026 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Ndërsa, në Klinë raportohet se një burrë sulmoi fizikisht një grua. I dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.

“Klinë / 30.09.2026 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Kurse, në Gjakovë u arrestua një person nën dyshimin se ushtroi dhunë psikike ndaj një burri.

“Gjakovë /30.09.2026 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës mashkull kosovar. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.