Lajme

Piloti indian i FlyDubai-t vlerësohet si hero

10/01/2026 09:13
nga:G B

Kapiteni indian, i cili po pilotonte avionin e “FlyDubai” kur bashkëpiloti e goditi me thikë – në një përpjekje të dukshme për ta rrëzuar avionin – është vlerësuar si hero, ndërsa liderë botërorë kanë lavdëruar veprimet që shmangën një katastrofë.

Kapiteni Smit Machchhar, me origjinë nga qendra financiare e Indisë, Mumbai, u plagos rëndë ndërsa pasagjerët hynë me nxitim në kabinën e pilotit dhe neutralizuan sulmuesin mes skenave dramatike të së mërkurës, pikërisht kur avioni “Boeing 737” po humbiste lartësi me shpejtësi të madhe, sipas dëshmitarëve dhe autoriteteve izraelite.

Sulmi e detyroi avionin, i cili po transportonte 174 persona nga Dubai (Emiratet e Bashkuara Arabe) në Tel Aviv (Izrael), të kryente një ulje emergjente në Tabuk, në veriperëndim të Arabisë Saudite.

Machchhar u dërgua në spital dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme, njoftoi vonë të mërkurën Ambasada Indiane në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite. Zyrtarët e ambasadës kanë qenë në kontakt me familjen e tij dhe me autoritetet saudite.

Kryeministri indian Narendra Modi e vlerësoi Machchhar-in si hero të enjten.

“Përballë një rreziku të madh dhe pavarësisht plagëve të rënda, ai tregoi guxim të jashtëzakonshëm dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur jetën e të tjerëve. Trimëria e tij ndihmoi në shpëtimin e qindra jetëve dhe në shmangien e një tragjedie të madhe,” shkroi Modi në platformën X.

Dihet pak gjë publikisht për Machchhar-in, por sipas profilit të tij në LinkedIn, ai punon për “FlyDubai” prej rreth katër vitesh. Para se t’i bashkohej kësaj kompanie ajrore, ai kaloi 11 vite te “SpiceJet”, një kompani indiane me kosto të ulët, ku shërbeu si kapiten i lartë dhe kapiten instruktor fluturimi.