Shkruan: Faton Abdullahu
Në sheshin e Prishtinës, me protestë, po mbrohet përsëri ajo që para gati tre dekadash është mbrojtur me pushkë në dorë: vlerat euro-perëndimore. Pa luftën e UÇK-së, Kosova në asnjë variant nuk do të mbetej zonë e interesave euro-perëndimore.
Prania e të rinjve në numër kaq të madh në protestat për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së është risia më mbresëlënëse në këtë që po shohim ditëve të fundit në sheshin e Prishtinës.
Protesta në Prishtinë nuk është përkrahje partiake e rinisë, aq më pak e një partie konkrete, por gjithsesi nuk është në asnjë variant proqeveritare. Përkundrazi, ka një tis antiqeveritar në të, i cili do të rritet po qe se Qeveria ndalon votimin e Ligjit.
Ata që mendojnë se mund të dënohen çlirimtarët në Hagë pa e dëmtuar vlerën properëndimore të UÇK-së, ose nuk kanë lidhje me atë se çfarë po ndodh në Kosovë, ose na e duan të keqen me shumë djallëzi.
Kush është kundër protestave sot, ai ka qenë dhe është kundër rrugëtimit të Kosovës për në NATO, për në BE etj. Sepse këtë rrugëtim drejt vlerave euro-perëndimore sot nuk do ta bënim pa luftën e UÇK-së dje.
Protestat e rirreshtojnë Kosovën përsëri drejt aleancave euroatlantike. Këtë po e bën një gjeneratë e re, e cila, edhe pse për luftën vetëm ka dëgjuar, i beson më shumë luftës së UÇK-së sesa akteve të Gjykatës së Specializuar për trillime.
Ata që mendojnë se Kosovën mund ta bëjnë multietnike pa qenë mirëfilli shqiptare, në përpjesëtim me përqindjen e banorëve, nuk e kanë kuptuar realitetin ballkanik, as atë të Kosovës. Kosova shqiptare, në paqe me ata që jetojnë me shqiptarët, është premisë që Kosova të mbetet euro-perëndimore.
Protestat në Prishtinë po i mbrojnë edhe disa perëndimorë nga vetja e tyre. Këta perëndimorë nuk e kanë kuptuar se të jesh kundër UÇK-së, siç është Gjykata e Hagës, apo të abstenosh nga mbrojtja përballë një gjykate politike, do të thotë t’i ushqesh ato forca në Kosovë të cilat, edhe pse nuk janë të mëdha, presin veç një justifikim në stilin: “A ju thoshim se nuk i besohet as Evropës, as Amerikës?”