Sporti

Vritet pronari i skuadrës së Botev Plovdiv, Iliyan Filipov

09/30/2026 10:27
nga:Mergim Rreci

Pronari i klubit bullgar të futbollit Botev Plovdiv, Iliyan Filipov, raportohet se është vrarë me armë zjarri në Plovdiv gjatë natës së kaluar. Lajmi është raportuar nga Nova TV, ndërsa deri më tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë që të sqarojë rrethanat e plota të ngjarjes.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara të publikuara në mediat lokale, Filipov dyshohet se është qëlluar me një plumb në kokë. Raportimi në polici është bërë rreth orës 01:00 pas mesnate, transmeton GazetaBlic Sport.

Hetuesit kanë nisur punën për të zbardhur rrethanat e vrasjes, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje lidhur me vendin e saktë të ngjarjes, mënyrën e ekzekutimit dhe pistat që po ndiqen.

Vendi ku ka ndodhur ngjarja ndodhet pranë kompleksit të banesave ku jetonte Filipov. Në afërsi ka edhe një zonë të pyllëzuar. Sipas të dhënave ende të pakonfirmuara, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që autori të jetë fshehur në atë zonë ose që viktima të jetë pritur paraprakisht.

Zona ku ndodhi krimi është relativisht e re dhe karakterizohet nga ndërtesa të reja banimi. Banorët kanë deklaruar se ndriçimi gjatë natës është i dobët. Për momentin nuk dihet nëse vrasja ka ndodhur në prani të dëshmitarëve.

Policia ka rrethuar zonën përreth vendit të krimit, ndërsa në disa rrugë është kufizuar qarkullimi për t’u mundësuar hetuesve kryerjen e veprimeve procedurale.

Iliyan Filipov ishte i njohur jo vetëm në botën e futbollit bullgar, si pronar i Botev Plovdiv, por edhe në sektorin e biznesit. Ai ishte pronar i kompanisë së transportit PIMK.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë informacionet e para zyrtare mbi motivin, autorin e dyshuar dhe rrethanat e sakta të vrasjes.

/GazetaBlic Sport/