Sporti

Ndahet nga jeta në moshën 32-vjeçare ish-talenti i Manchester Cityt

09/29/2026 15:20
nga:Mergim Rreci

Futbolli anglez është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të Courtney Meppen-Walter, ish-talentit të Manchester Cityt dhe ish-kapitenit të përfaqësueses së Anglisë U18. Ai ka ndërruar jetë në moshën 32-vjeçare.

Meppen-Walter konsiderohej një prej talenteve premtues të futbollit anglez gjatë viteve të para të karrierës së tij. Ai ishte pjesë e akademisë së Manchester Cityt dhe mbajti edhe shiritin e kapitenit me kombëtaren angleze U18.

Në moshën 18-vjeçare, karriera e tij u ndërpre në mënyrë të rëndë pas një aksidenti automobilistik, në të cilin humbën jetën dy persona. Për këtë ngjarje, Meppen-Walter u dënua me 16 muaj burgim.

Pas këtij episodi, rrjedha e karrierës së tij sportive ndryshoi ndjeshëm dhe ai nuk arriti të realizonte potencialin që kishte treguar në vitet e para. Deri në këto momente, shkaku i vdekjes së tij nuk është bërë publik.

Ndarja e parakohshme nga jeta e Meppen-Walter ka sjellë trishtim në komunitetin e futbollit anglez, ndërsa familja dhe të afërmit e tij përballen me këtë humbje në moshë shumë të re.

/GazetaBlic Sport/