Kosova e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën në Ligën e Kombeve, duke e mposhtur mbrëmë Irlandën me rezultat 1-0.
Heroi i fitores së “Dardanëve” ishte Vedat Muriqi, i cili realizoi golin vendimtar dhe i dhuroi Kosovës një triumf tejet të rëndësishëm në këtë përballje.
Përveç golit, vëmendje të madhe mori edhe festa e sulmuesit kosovar. Muriqi festoi me fanellën në të cilën shkruhej “Jo në emrin tim” dhe “Drejtësi për Çlirimtarët”, duke përcjellë një mesazh që mori jehonë të madhe.
Një interesim të jashtëzakonshëm ka pasur edhe për videon e golit, të publikuar nga “GazetaBlic Sport”. Videoja ka tërhequr rreth 1.2 milion shikime brenda 20 orëve, duke dëshmuar interesimin e madh që ngjalli fitorja e Kosovës përtej kufijve të vendit.
Në video, paraqitja e Kosovës ka marrë vlerësime edhe nga tifozë e komentues të shumtë nga vende të ndryshme të Ballkanit. Në veçanti, komentet nga Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina ishin të shumta, me shumë prej tyre që shprehën vlerësimin për lojën dhe angazhimin e “Dardanëve”.
“Jeni më të mirë se Serbia”, “Përgëzime nga Sarajeva”, “Urime nga Rijeka”, “Kështu luftohet për vendin, zotërinj. Bravo djemve, ndërsa publiku ishte fenomenal. Urime nga zemra“, ishin disa nga komentet.

Tri pikët ndaj Irlandës përbëjnë një nisje të mbarë për Kosovën në Ligën e Kombeve, ndërsa paraqitja e ekipit dhe atmosfera rreth fitores kanë shtuar entuziazmin te tifozët “Dardanë”.
/GazetaBlic Sport/


